Cili është shteti me numrin më të lartë të vrasjeve në botë?
Një djalë 14-vjeçar i vetëm në një rrugicë të errët, një tregtar duke shitur në një treg në mes të ditës, motra në dyqanin e saj dhe vëllai në gjumë në shtratin e tij… Ata u vranë të gjithë me plumb pas koke, pa asnjë përgjigje. Por askush nuk pëshpërit nga ajo që sheh apo dëgjon çdo ditë…dhe jeta vazhdon në rrugët e trazuara të El Salvadorit.
Zyrtarisht El Salvadori është shteti me numrin më të lartë të vrasjeve në botë, me një rritje të jashtëzakonshme të krimit gjatë muajve të fundit, shkruan “Dailymail”.
Me një popullsi pak më shumë se 6 milionë banorë, El Salvadori është shteti më i vogël në Amerikën Qendrore, por muajin e kaluar, 677 persona në El Salvador u ekzekutuan. Aty ka një mesatare prej 22.6 të vrarë çdo ditë, sipas shifrave zyrtare të publikuara.
Vrasjet janë rritur 55.7% në gjysmën e parë të 2015-s, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Deri tani këtë vit, janë vrarë të paktën 2865 persona. Shumica e viktimave dërgohen në morg të paidentifikuara. Disa identifikohen nga familjarët, të tjerë qëndrojnë në morg për muaj të tërë dhe më pas kufomat dërgohen në varre masive.
Arsyet e ekzekutimeve janë të shumta dhe shpesh viktimat nuk janë pjesë e bandave kriminale. Shumë persona janë vrarë pasi nuk kanë pranuar të paguajnë gjatë grabitjeve, të tjerë pasi nuk kanë pranuar të bashkohen me bandat.
Terrori ndaj civilëve të pafajshëm në El Salvador nuk ka kufi. “Ver, OIR y calla” është thënia që shihet shpesh e shkruar në muret e komuniteteve të varfra, e cila përkthehet: “shohim, dëgjojmë, mbaj gojën mbyllur”.