Çfarë premtojnë dinamikat zgjedhore në Kanada për politikat sociale
![](https://www.historiaime.al/wp-content/uploads/2018/02/KANADA.jpg)
Pas zgjedhjeve federale të së hënës, siç vlerësohet prej rezultateve zyrtare, Partia Liberale e Justin Trudeau është gati të formojë një qeveri minoritare. Kjo do të thotë që Kryeministri në detyrë do të duhet të gjejë mbështetjen e palëve të tjera për të qeverisur.
Partia Liberale, ishte parashikuar të fitonte 155 vende, teksa ka marrë 157 sipas numrit zyrtar, mirëpo do të duheshin 170 vende për të pasur shumicën e nevojshme. Përndryshe, rivalët e saj konservatorë në parashikime dolën me 122 vende, por 121 është numri zyrtar i tyre.
“Rezultatet sugjerojnë që Trudeau do të kërkojë mbështetjen e partive të opozitës së majtë për të miratuar pjesë të rëndësishme të legjislacionit,” deklaroi analisti Karl Schamotta, Drejtor i Strategjisë së Tregjeve Globale në Kembrixh. “Partia e Re Demokratike që favorizon politikat ambientaliste, me qaje antikorporata dhe pro politikave shoqërore, ka të ngjarë që të marrë rol tepër të fuqishëm,” vazhdoi ai.
Megjithatë, NDP u përball me momente zhgënjyese, pasi numri i vendeve që pritej të fitonte ishte zvogëluar ashpër nga zgjedhjet e 2015.
Ndërkohë, i pyetur në lidhje me situatën zgjedhore shprehet edhe aktivisti Kristi Pinderi, i cili është aktualisht student i Shkencave Sociale ne Vancouver dhe drejtues i një projekti për emigrantët LGBT në Surrey. “Më të guximshmet ndër premtimet e NDP-së, janë për mbulimin universal të shërbimeve dentare, ku aktualisht ky i fundit është i financuar privatisht dhe është një shërbim tepër i shtrenjtë për banorët e varfër dhe ata të shtresës së mesme.
Një propozim po aq i guximshëm i NDP është edhe rimbursimi 100% i të gjitha ilaçeve, edhe pse mbi këtë pikë kritikët e akuzojnë se nuk ka një plan të detajuar, sidomos për kostot,” thotë Pinderi.
Ndër të tjera Kristi shton, se sipas tij është me interes të veçantë të vërehet diferenca pozitive e zgjedhjeve në Kanada, krahasimisht me “dramën” amerikane, siç e quan ai. “Në Kanada, gjithçka ndodh brenda një etike mbresëlënëse, nuk ka surpriza, nuk ka drama, e nuk ka fjalor që hedh në erë gjithë normat bazike të sjelljes, siç lehtësisht e gjejmë në politikën amerikane,” përfundon ai.
Zgjedhjet e kësaj fillim jave në Kanada, vazhdojnë të përbëjnë interes deri në definimin përfundimtar të dinamikave post-zgjedhore dhe konkretizimin e koalicioneve e politikave premtuese prej palëve protagoniste.
Liri Kuçi
Imazhi: Flickr