Çeshtja e emigrantëve/ Avokati i Popullit: Merrni masa për garantimin e të drejtave të njeriut
Tani që u miratuan rregullat për kalimin e emigrantëve nga Ballkani, natyrshëm lind pyetja se sa gati është Shqipëria për të përballuar një fluks të mundshëm emigrantësh.
Për këtë çeshtje, duket se nuk ka ende një përgjigje përfundimtare. Kryeministri Rama deklaroi në emisionin “Top Story” se Shqipëria nuk do t’i hapë kufijtë pasi nuk ka kushtet dhe fuqinë për t’i pritur. Nga ana tjetër ministria e Intergrimit Klajda Gjosha, ka thënë se vendi ynë nuk do të ngrejë mure kundër emigrantëve, por secili prej tyre do t’i nënshtrohet procesit të regjistrimit, siç është vendosur në marrëveshjen e vendeve të “itenerarit ballkanik”.
Edhe Avokati i Popullit, iu ka bërë thirrje autoriteteve shqiptare të përgatiten dhe të marrin masat për garantimin e të drejtave të njeriut, sipas standardeve evropiane. AP ka theksuar se nëse rruga e emigrantëve do të kalojë përmes Shqipërisë, në mënyrë të veçantë duhet t’i kushtohet rëndësi grave, fëmijëve, të moshuarve, personave me Aftësi të Kufizuar dhe komunitetit LGBT.
Gjithashtu Avokati i Popullit i kërkoi qeverisë shqiptare të shtojë përpjekjet informuese dhe promovuese për të mos lejuar shfaqjen e stereotipeve, akteve diskriminuese, raciste dhe ksenofobie. /m.g