Cënimi i të drejtave të njeriut, reagon perëndimi dhe Kombet e Bashkuara

Të shumta kanë qenë lajmet e kësaj jave që citojnë situatën e cënimit të të drejtave të njeriut në vende të ndryshme të botës. Nga Koreja e Veriut në Tanzani, duket se situata po përkeqësohet në shumë shtete dhe ndryshimi është i pakët dhe i ngadaltë dhe për shkak të regjimeve autoritare që sundojnë këto shtete.
Ditën e sotme Komiteti për të Drejtat e Njeriut pranë organizatës së Kombeve të Bashkuara, publikoi disa raporte që në javët në vijim do tu paraqiten Asamblesë së Përgjithshme për miratimin e sanksioneve dhe masave ndëshkuese ndaj këtyre shteteve.
Shtetet ku situata është më problematike momentalisht janë Koreja e Veriut dhe Irani. Situata në Iran duket problematike përsa i përket dënimeve të ashpra dhe arrestimit të zërave kritikë ndaj regjimit. Iranit iu bë thirrje për të ndaluar përdorimin e gjerë të paraburgimit arbitrar dhe u shpreh shqetësimi serioz në lidhje me përdorimin në shifra alarmante të dënimit me vdekje.
Rezoluta gjithashtu i bën thirrje Iranit për të eliminuar diskriminimin ndaj grave në politikë dhe shpreh “shqetësim serioz për kufizimet e vazhdueshme e të rënda mbi të drejtën për lirinë e mendimit, shprehjes dhe besimit”.
Situata vazhdon të mbetet problematike dhe në shtetin e Koresë së Veriut. Pavarësisht përpjekjeve të diktaturës së Kim Jong Un për të negociuar me perëndimin, situata nuk duket të ketë ndryshuar. Rezoluta dënon “shkeljet e vazhdueshme e sistematike, të përhapura dhe të rënda të të drejtave të njeriut” dhe i kërkon urgjentisht qeverisë koreano-veriore që t’i japë fund menjëherë abuzimeve. Rezoluta e iniciuar nga komiteti i OKB dhe e mbështetur nga Bashkimi Europian dhe Japonia, inkurajon Këshillin e Sigurimit për referimin e zyrtarëve të Koresë së Veriut në Gjykatën Ndërkombëtare Penale.
Situata mbetet kritike dhe në shumë shtete të Lindjes së Mesme, Amerikës qendrore dhe të Afrikës, ku mungesa e stabilitetit politik e bën thuajse të pamundur ndërhyjen e organizmave ndërkombëtarë për situatën e të drejtave të njeriut në shtete si Jemeni, Libia, Siria, Sudani, Somalia etj.
Së fundmi kritikat janë shtuar për Tanzaninë dhe përkeqësimin e situatës në vend. Danimarka deklaroi dje se do të tërheq rreth 10 milionë dollarë ndihmë për qeverinë e Tanzanisë, për shkak të “zhvillimeve negative” në të drejtat e njeriut në vendin e Afrikës Lindore dhe vendimeve që persekutojnë komunitete të caktuara si psh. komuniteti LGBT.
Danimarka është një nga donatorët më të mëdhenj në Tanzani, qeveria e së cilës varet shumë nga ndihmat e huaja.
OKB kritikoi gjithashtu Rusinë për persekutimin e komunitetit Tatar në Krime, për luftën e vazhdueshme në Ukrainë dhe për trajtimin e robëve të luftës si dhe tërhoqi vemndjen dhe për Ukrainën, për të njëjtat arsye si të Rusisë./ k.j