Burgim i përjetshëm për Radovan Karaxhiç

Ish-udhëheqësi i Republika Srpska të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, u dënua ditën e sotme më burgim të përjetshëm për krimet e luftës së kryera në Bosnje dhe Herzegovinë.
Dhoma e Apelit e Gjykatës për Krime Luftë në hapësirat e ish Jugosllavisë, hodhi poshtë ankesat e tij dhe e dënoi me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të praktikave të luftës.
Radovan Karaxhiç, u shpall fajtor në vitin 2016 për akuzat e mësipërme, përfshirë dhe masakrën e Srebrenicës, ndër mizoritë më të rënda në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.
Gjykata e shpalli fajtor për gjenocid për masakrën e Srebrenicës, që synonte vrasjen e “të gjithë burrave të aftë për luftë” dhe shfarosjen e komunitetit mysliman boshnjak në atë zonë në korrik të vitit 1995, pasi forcat serbe e morën nën kontroll qytetin që ishte shpallur “zonë e sigurt” nga Kombet e Bashkuara.
Vendimi u prit me duartrokitje nga familje të viktimave të Srebrenicës dhe u cilësua si vendosja e drejtësisë në vend nga autoritetet boshnjake.
Karaxhiç, është aktualisht zyrtari më i lartë që përballet me Gjykatën Ndërkombëtare për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë, lidhur me luftën e Bosnjës, në të cilën u vranë mbi 100 mijë veta. /k.j/