Bulqizë: Banorët e tre fshatrave në protestë kundër projektit privat për shfrytëzimin e pyjeve
Banorët e tri fshatrave në Fushë – Bulqizë protestuan sot kundër prerjes së pyjeve në zonat ku banojnë. Të mbledhur përpara bashkisë së qytetit ata kërkuan ndalimin e koncensionit për shfrytëzimin e masivit pyjor “Sheshe Bulqizë”.
Ata e kundërshojnë prej 3 vitesh këtë me pretendimin se kjo është e vetmja zonë pyjore e mbetur e virgjër në Bulqizë duke shtuar se nisma bie ndesh me moratoriumin e shfrytëzimit të pyjeve dhe sot dolën për t’i kërkuar Bashkisë të marrë parasysh kërkesat e tyre.
“Për bashkinë Bulqizë, pylli duhet të pritet sepse i ka kaluar mosha e vjeljes dhe është i tejplakur, dhe se një ndërhyrje e tillë i shërben pyllit për gjendjen e tij higjeno-sanitare, shëndetësuese dhe ripërtëritëse. Institucionet shtetërore dhe ato vendore janë vënë në shërbim të një firme private që kërkon të bëjë biznes në kurriz të jetës së këtyre banorëve”, thuhet në njoftimin e protestës.