Bulevardi i ri, banorët e “trenit” përplasen me policinë: “Nga shtëpitë na nxirrni vetëm të vdekur”
Banorët e zonës së Stacionit të Trenit që preken nga ndërtimi i bulevardit të ri të Tiranës kanë dalë sërish në protestë duke bllokuar rrugën. Tre ditë më parë, ata protestuan përpara Bashkisë së Tiranës duke kundërshtuar masën e dëmshpërblimit të caktuar nga qeveria për banesat e tyre që do të shemben për t’i hapur rrugë ndërtimit të bulevardit.
Ata kërkuan dje nga bashkia të ndërtojë një pallat pranë bulevardit të ri ku të strehoen të gjithë familjet që do u shemben banesat. Në rast se kjo kërkesë nuk do u plotësohet, ata kërcënuan me mosbindje civile.
Pasi kanë marrë njoftimin se sot do të nisë prishja e 10 banesave ata janë organizuar sërish, duke qelluar drejt policisë me gurë dhe kapsolla në momentin kur një prej fadromave është ndezur për të filluar prishjen e një marketi në fillimin e rrugës.
Sipas gazetës Panorama, tre prej grave që qendronin në rreshtin e parë të protestës janë ndjerë keq dhe janë shoqëruar në spital me autoambulancë.
Video: Një grua ndihet keq gjatë protestës, shoqërohet në spital me ambulancë/Nisma#Thurje
“Jemi duke zbatuar mosbindjen civile. Çfarë na solli deri këtu, ishte një mosdëgjim nga instancat e shtetit shqiptar. Ju lutemi ambasadave edhe njëherë shpejtoni pak, mësojini këta njerëz të zgjidhin hallet e popullit. Po strehoni muhxhahedinë, njerëz në nevojë, ne na lini në shtëpitë tona. Kjo është një punë e dobët e Bashkisë. Të na japin hakun tonë që na takon. I kemi dhënë zgjidhje, bërjen e pallatit, por i kanë veshët të shurdhët.”, tha për Balkanweb, Pirro Demiraj, përfaqësues i banorëve.
/l.k./