Brukseli shpreh frikë për influencën ekonomike të Kinës në Ballkan

Komisioneri europian për Zgjerimin në BE, z. Hahn ka shprehur së fundmi përmes një interviste në “Financial Times” se influenca ekonomike e Kinës në vendet e Ballkanit është nënvlerësuar dhe nuk është konsideruar mjaftueshëm në analizën e influencave të huaja në ekonomitë e Ballkanit.
Më tej komisioneri Hahn tregoi se është i shqetësuar për huatë e shumta që këto vende po marrin nga Kina për t’i alokuar në infrastrukturë dhe për të pasur rezerva ekonomike për t’i bërë ballë krizave të mundshme në ekonomitë e vogla të këtij rajoni.
Z. Hahn u shpreh se BE do të ishte një partner më i frytshëm për këtë rajon. Historikisht vendet e Ballkanit Perëndimor janë gjetur “në udhëkryq” midis influencës perëndimore të BE- që i ka intensifikuar përpjekjet për zgjerim në BE, duke parë rastin e Kroacisë që u anëtarësua në vitin 2013 – dhe Rusisë, e cila ka lidhje të forta kulturore dhe fetare në rajon.
Kina është duke investuar në Ballkan në shifra të larta në një plan të quajtur “16+1”, e cila përfshin 11 vende të BE-së si dhe 5 vende të tjera jashtë BE: Shqipëria, Bosnje-Hercegovinë, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia.
Komisioneri Hahn u shpreh se një prioritet për rajonin është zgjidhja e konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë, një konflikt i hershëm për pranimin e pavarësisë së Kosovës nga ana e shtetit serb. Z. Hahn shokoi opinionin mbarë ndërkombëtar në 2018, kur u shpreh gjatë një deklarate se mund të arrihej një zgjidhje potenciale, e cila do të përfshinte mëvetësimin territorial, një temë që është konsideruar tabu ndër vite nga komuniteti i ndërkombëtarëve.
“Pa u realizuar asnjë progres në këtë dialog, i gjithë rajoni do të ballafaqohet me ngërç politik” u shpreh komisioneri./h.k/
Burimi: Financial Times