Bizneset në Kukës, Has e Tropojë mbyllen për një orë në protestë për taksën e Rrugës së Kombit
Bizneset në Kukës, Has e Tropojë kanë ndërprerë sot punën për një orë në shenjë proteste ndaj taksës së Rrugës së Kombit.
Pas dhënies me koncesion të mirëmbajtjes së autostradës Milot – Kukës – Morinë, çdo qytetar (përfshirë dhe banorët e zonës) duhet të paguajë për të pasur akses në këtë rrugë.
Kreu i shoqatës së biznesit në Kukës, Sokol Kolgjini ka shprehur shqetësimin se kjo taksë po i mbyll udhën banorëve për 30 vitet e ardhshme.
“Kjo është iniciativa e radhës. Bizneset mbyllën për një orë aktivitetin në shenjë proteste për taksën. Mbyllim aktivitetin për një orë që mos të na mbyllin udhën për 30 vite. Rajoni i Kukësit nuk ka rrugë alternative. Kjo taksë është e padrejtë. Qëndrimin tonë ua kemi dërguar ambasadave gjermane, amerikane, përfaqësuesve të BE-së dhe i bëjmë thirrje faktorit ndërkombëtar në Tiranë të ushtrojë ndikimin e vet për anulimin e kësaj takse të paprecedentë”, ka thënë Kolgjini.
Përse protestojnë banorët e Kukësit?
Ministria e Transporteve në Shqipëri ka përzgjedhur më 22 korrik si fitues të koncesionit për mirëmbajtjen dhe rehabilitim e Rrugës së Kombit, një bashkim kompanish kryesuar nga shoqëria turke “Vendeka Bilgi”.
Bërja publike e tarifës prej 5 eurosh për autostradën Milot-Kukës- Morinë është pasuar nga kundërshtime të ashpra të banorëve dhe shoqatës së biznesit në Kukës.
Sipas marrëveshjes, automjetet që ofrojnë shërbime publike nuk do të jenë objekt i pagesës. Ndërsa për qytetarët banorë të zonës do ketë diferencime, të cilat do të specifikohen kur të lidhet kontrata.
Por një reagim i Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC), që ka reaguar në lidhje me koncesionin e Autostradës Milot-Morinë, ka shuar shpresat e kuksianëve se do të përjashtohen nga taksat për qarkullimin në autostradë.
Duke qenë se IFC-ja ka qenë pjesë e konsultimeve për dhënien me koncesion të kësaj autostrade, kjo kompani bëri të ditur se tarifa do të paguhet vetëm në një pikë, në tunelin e Thirrës dhe do të aplikohet një skemë zbritjeje për përdoruesit e shpeshtë të autostradës, ku kishte parasysh banorët vendas. IFC (International Finance Corporation) ka theksuar se tarifa e parashikuar reflekton nivelin e jetesës së popullsisë dhe është më e ulët se mesatarja e rajonit.
/l.k./