Tetori shënon muajin e ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit te gratë. Edhe këtë vit në Shqipëri, u mbajt marshimi simbolik për ndërgjegjësimin dhe diagnostikimin në kohë të kancerit.
Organizata YNWCA, për të 11-tin vit radhazi organizon këtë aktivitet dhe kujdeset për mbarëvajtjen e tij. Në 7 tetor ndodhi marshimi i radhës në Tiranë, teksa disa dhjetra gra ecën përgjatë bulevardit qendror, nga Pallati i Kongreseve në drejtim të Sheshit Skënderbej, ku pati edhe një një ceremoni pritjeje për manifestuesit. Në marshim nuk pati vetëm gra, por edhe burra që në mos shoqëronin gratë apo vajzat e tyre, u solidarizuan gjithsesi me praninë e tyre në marshim.
Ashtu si emërtimi i kësaj fushate “Fjongoja rozë më kujton…”, u shpërndanë bluza, tullumbace dhe fjongo ngjyrë rozë për pjesmarrëset/it, ngjyrë e cila shenjon dhe fushatën e muajin sensibilizues kundër kancerit të gjirit.
Pati fjalime nga gra, të cilat fatmirësisht ia kanë dalë në betejën e mundimshme kundër kancerit. Ato bënë thirrje që të mos neglizhohet për vizitat periodike në diagnostikim, pasi kështu do të jetë më e lehtë dhe përballja me sëmundjen. Fjalën më pas e morën dhe përfaqësues të posteve publike që theksuan rëndësinë e diagnostikimeve në kohë, duke përmendur dhe shërbimet që mbulonin institucionalisht.
Muaji tetor, nuk mjafton për të ndërgjegjësuar popullatën dhe gratë për kancerin e gjirit, pasi duhet të ketë fushata që periodikisht e sjellin në vemëndje atë, si dhe mekanizma institucionalë të cilët duhet ndihmojnë në menaxhimin e rasteve të prekura drejt luftimit me sukses të sëmundjes. Diagnostikimi i kancerit të gjirit duhet të sensibilizojë brezat e rinj që në bankat e shkollës e deri në lehtësitë që duhet të kenë pas të 20-tave për vizita, konsulta dhe trajtime falas.
E drejta e jetës nuk duhet përjetuar si luks i të paktëve, por shteti duhet të shërbejë si garant kryesor i saj, pa ia vënë fajin kështu mungesës së supozuar të kulturës apo vetëdijes.
