BE-ja në kaos: Çdokush bën atë që do!
Debati për pranimin dhe shpërndarjen e refugjatëve në BE ka mbetur në vend. Por të paktën BE-ja bie dakord për ruajtjen e të dhënave të pasagjerëve të avionëve.
Vendet anëtare të BE janë të zemëruara me Greqinë, sepse Athina as nuk mbron kufijtë e jashtëm me Turqinë, as nuk regjistron siç duhet emigrantët. Përveç kësaj, që kur Sllovakia dhe Hungaria janë ankuar në Gjykatën Evropiane kundër vendimit për shpërndarjen e refugjatëve, debati ka mbetur në vend. Dallimet në mendimet mes evropiano-lindorëve dhe Gjermanisë dhe Suedisë duken të patejkalueshme.
Nga ana tjetër, duke patur parasysh frontet e ashpërsuara, ministrat e brendshëm duken më të suksesshmit. Nën presionin e sulmeve të Parisit ata arritën të bien dakord pas shumë vitesh diskutimi për një marrëveshje për ruajtjen e të dhënave të pasagjerëve të avionëve. Parashikohet që në të ardhmen të dhënat e të gjithë udhëtarëve që hyjnë dalin nga BE-ja të ruhen për gjashtë muaj. Pas kësaj ato kodohen dhe mund të ruhen deri në një maksimum prej pesë vjetësh.
Edhe Athina pas shantazhit se mund të përjashtohej nga zona Shengen për dy vite, më në fund u dorëzua dhe kërkoi ndihmë nga BE-ja për regjistrimin, pritjen e refugjatëve dhe menaxhimin e kufijve të jashtëm. Deri në këtë moment qeveria e Tsipras i kishte injoruar të gjitha kërkesat e Brukselit për krijimin e të ashtuquajturave pika të nxehta dhe nuk i kishte përdorur pajisjet që i ishin dërguar për regjistrimin e shenjave të gishtave.
Megjithatë në përgjithësi BE-ja prezantohet në krizën e refugjatëve gjithnjë e më e paaftë, mendon politologia Judy Dempsey nga Instituti për Kërkime Politike Carnegie Europe. Ana humanitare e qindra e mijëra njerëzve që ikin nga lufta dhe persekutimi duket se nuk i intereson askujt. /m.g
Burimi: Deutsche Welle