Banorët e bregut të lumit, të pakënaqur me vendimin e bashkisë për strehimin e tyre
Prej disa kohësh është lajmëruar se zona e Bregut të Lumit, ku jetojnë dhjetëra familje rome, do të përfshihet nga një projekt për rehabilitimin e shtratit të lumit. Aktivistët Rom dhe Egjiptian thonë se ditën e djeshme aty kanë shkuar dy punonjës nga Drejtoria e Shërbimit Social dhe kanë komunikuar se banorët e rreth 56 familjeve të kësaj zone do të preken nga prishjet.
Sipas tyre, bashkia e Tiranës do t’i ofrojë familjeve bonus qiraje deri në 80% të shumës për strehimin e tyre. Ky vendim është kundërshtuar nga një pjesë e banorëve pasi është një vendim i marrë padijeninë e tyre.
Një pjesë e banorëve jetojnë në zonën e Bregut të Lumit prej më shumë se 20 vitesh ku dhe kanë ndërtuar shtëpitë e tyre. Ata gjithashtu kanë plotësuar prej vitesh formularin e vetëdeklarimit për t’u pajisur me çertifikatë pronësie, ndaj ky vendim është cilësuar i padrejtë nga ana e banorëve.
Deri para pak kohësh, banorët ishin krejtësisht të painformuar se çfarë do të bëhej me ta ndaj dhe i kanë nisur një ankesë të përbashkët Avokatit të Popullit.
“Lajmërimi ka qenë me gojë dhe nuk është sqaruar se çfarë institucioni përfaqësonte ai person. Ne jetojmë në atë zonë prej shumë vitesh, kushtet e jetesës janë të vështira dhe ne përballemi çdo ditë me pasiguri ushqimore, fizike dhe shëndetësore, por një dëbim i mundshëm nga banesat tona, do ta përkeqësone më tej jetën tonë”, thuhet në ankesën drejtuar Avokatit të Popullit. /m.g