Banesat sociale pa ujë. Banorët: “Na thonë nëse s’ju pëlqen, ikni”
Në pallatet e ngritura për të shërbyer si banesa sociale në Shkozë, mësohet se prej një muaji, nuk ka ujë. Disa familjarë që banojnë në këto godina, ankohen se kanë kohë që kanë problemem me furnizimin me ujë.
Ata tregojnë për gazetën “Shqip” se edhe në ato pak raste kur kanë ujë, kjo ndodh për vetëm një ose maksimumi dy orë në ditë.
Madje, familjarët thanë se kur kanë marrë në dorëzim banesat, nuk kanë patur as lavamanë, tani që kan instaluar lavamanët, nuk kanë ujë.
“Edhe tani nuk kemi ujë, po kemi probleme. Pesë ditë ndenjëm pa ujë në fillim. Shkuam atje për t’u ankuar dhe na thoshin ‘nëse ju pëlqen mirë, nëse nuk ju pëlqen ikni, në këto kushte kemi’. Na kanë sjellë disa libreza për ujin. Shkoi djali t’i paguajë atje dhe fatura ishte zero, sepse faktikisht nuk ka ujë. Një herë në pesë ditë vjen uji”, tregon një prej banorëve të kësaj zone.
Edhe pse kanë kohë që e kanë ngritur si problem, banorët shpjegojnë se vazhdon t’u thuhet që ka defekt dhe se së shpejti do të rregullohet. “Ka defekt na thonë. Kanë ardhur ata të Ujësjellësit dhe duket se po e rregullojnë. Kur nuk kemi ujë, mbajmë rezerva. Kam 15 ditë që jam këtu dhe vjen uji një herë në javë, një herë në dy apo tri ditë. Vjen në orën 10.00 të darkës dhe rri një orë. Kemi kovat që i mbushim”, sqaron një tjetër banor i vendosur në banesat sociale.
“Një javë nuk vinte fare gjatë ditës. Pastaj ndodhi që plasën tubacionet. U mbush vendi me ujë. Ka 2-3 ditë që është stabilizuar. Në fillim nuk kishte ujë fare, ne e dimë çfarë kemi hequr. Kam një muaj që jam futur”, bën me dije një tjetër banore e zonës.
Nga ana tjetër, “Shqip” shkruan se burime në Bashkinë e Tiranës e mohojnë të ketë mungesa të ujit deri në pesë ditë. Sipas tyre, pallatet sociale furnizohen dy herë në ditë me ujë, ashtu siç furnizohen edhe pallatet e tjera të Tiranës. Ata deklarojnë se banorët e zmadhojnë problemin.
“Tirana furnizohet dy herë në ditë me ujë, një herë në mëngjes dhe një herë në darkë dhe të gjithë pallatet e Tiranës kanë të njëjtin problem. Ata na shohin ne si kujdestarë, dhe në çdo moment që kanë një ndërprerje uji, pasi ujësjellësi aq e ka kapacitetin, na bërtasin neve, sikur ia jemi ne përgjegjës. Ai pallat trajtohet si të gjithë në kryeqytet. Kur ka ujë Tirana, ka dhe atje, kur nuk ka ujë, s’ka as atje”, sqarojnë burime në Bashkinë e Tiranës.
Gjithashtu burimet nga Bashkia e Tiranës, fajësojnë banorët se e zmadhojnë problemin: “Ata nga 5 orë që kanë mungesë, e bëjnë 5 ditë se kërkojnë të ankohen, ta ngrenë çështjen në nivel tjetër. Janë bërë të gjitha remontet nga e para”. /m.g./
Burimi: Gazeta Shqip