Shqipëria prej disa vitesh është kthyer në rrugë kalimi për refugjatët, të cilët nga shtetet e Afrikës Veriore, Lindjes së Mesme apo dhe shtete të tjera të varfëra, përpiqen që përmes Shqipërisë të kalojnë më tej në një nga shtetet e Bashkimit Evropian ku mund të kërkojnë azil.
Të gjithë refugjatët të cilët përpiqen të kalojnë ilegalisht në territorin tonë, në rastet kur kapen nga Policia strehohen në ambjentet e Qendrës Kombëtare të Pritjes së Azilkërkuesve në Babrru, nga ku raportohet se jetojnë në kushte të vështira.
Sipas raportimit të Balkanweb, rreth 100 persona, mes tyre gra dhe fëmijë nga Pakistani, Siria, Maroku dhe vendet e tjera arabe strehohen momentalisht në qendrën në Babrru. Numri i personave të strehuar aty ndryshon nga dita në ditë. Çdo mëngjes në qendër shkojnë azilkërkues të rinj, ndërsa në orët e vona të natës dhe pa lejen e autoriteteve, shumë të tjerë largohen me qëllimin e vetëm për të kaluar kufirin, drejt vendeve të tjera të Europës.
Sipas njërit prej refugjatëve të strehuar, në qendër nuk ka jastëk, çarçafë apo mjete bazë për një jetesë normale. “Jetojmë 15 veta në një sallon të madh. Ushqimi nuk na mjafton. Higjiena është e keqe. Shpesh në kamp, ndodhin vjedhje dhe sherre” deklaron i strehuari prej 4 ditësh në qendër, i cili pret të largohet sa më shpejtë.
Qendra në Babrru ka kapacitet për 400 persona. Megjithatë, edhe pse nuk është mbushur plotësisht, refugjatët detyrohen të flenë në krevate pa dyshekë, madje as ushqimi nuk u mjafton. Ata tregojnë se kushtet në kamp janë të tmerrshme dhe sipas tyre rrinë më shumë se 9 persona në një dhomë dhe se ushqimi i servirur në kamp nuk u mjafton. /k.j