Avokati i Popullit: Të hiqet dorë nga iniciativa për kriminalizimin e shpifjes
Avokati i Popullit kundërshton shtesën që kërkohet t’i bëhet Kodit Penal përsa i përket shpifjes. Në një letër drejtuar kryetarit të Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Avokati i Popullit sugjeron të hiqet dorë nga iniciativa që e kthen shpifjen si vepër penale.
“Kjo dispozitë që kërkohet të shtohet tani në vitin 2015, është shfuqizuar në vitin 2012. Avokati i Popullit, më herët ka shprehur opinionin e tij dhe ka përkrahur dekriminalizimin e veprës penale të Shpifjes që ishte në fuqi në atë kohë”, shkruhet në letër.
Institucioni i Avokatit të Popullit i konsideron si të pamatura dhe të pastudiuara mirë ndryshimet kaq të shpeshta të Kodit Penal. Për këtë arsye sugjeron që Kodi Penal të shihet njëherë e mirë në gjithë tërësinë e tij dhe të mos pësojë ndryshime të cilat i përgjigjen çdo lloj situate të re që krijohet në vend.
Më tej thuhet se dekriminalizimi në vitin 2012 i shpifjes, u konsiderua si një fitore e të drejtave të njeriut në Shqipëri, e në veçanti i lirisë së shprehjes. Ndaj, kriminalizimi do ta çonte Shqipërinë shumë hapa mbrapa rekomandimeve të institucioneve ndërkombëtare.
Avokati i Popullit argumenton se shpifja nuk duhet të jetë vepër penale pasi liria e shprehjes është një e drejtë kushtetuese si dhe një e drejtë që gjen vend në pothujase të gjitha aktet ndërkombëtare që i referohen përcaktimit të të drejtave të njeriut. Gjithashtu pothuaj të gjitha organizatat ndërkombëtare kanë mbajtur qëndrim të qartë se nuk duhet të ketë mbrojtje të veçantë për zyrtarët publikë, gjyqtarët, zyrtarët e huaj apo stemat shtetërore.
Institucioni i Avokatit të Popullit shton në letrën drejtuar kryetarit të Komisionit Parlamentar të Ligjeve, se “përfshirja si vepër penale, do të keqpërdoret nga autoritetet për të heshtur kritikat e medias. Kjo gjithashtu do të çojë në një vetëcensurë të mediave duke shkaktuar tkurrje progresive të debatit demokratik dhe të informimit të publikut, duke mos ndihmuar aspak në zhvillimin e vendit dhe anëtarësimin e saj në familjen europiane”. /m.g