Avokati i Popullit: Të gjendet zgjidhje për të burgosurit me probleme të shëndetit mendor
Avokati i Popullit në bashkëpunim me OSBE-në organizuan një tryezë të rrumbullakët mbi situatën e të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria në institucionet shtetërore gjatë vitit 2015.
Në këtë takim u prezantua draft-raporti i Mekanizmit Kombëtar të Parandalimit të Torturës përgjatë vitit 2015, pas kontrolleve dhe monitorimeve të kryera në: Institucionet penitenciare; Komisariatet e Policisë dhe Drejtoritë e policive Vendore; Spitalet psikiatrike; Qendrat Rezidenciale te te huajve, të azilkërkuesve dhe personave të trafikuar; Bazat dhe Repartet ushtarake; Pikat kufitare. Ky raport pas një diskutimi të gjerë me partner të shoqërisë civile, bashkëpunëtorë dhe aktorë të fushës do t’i dërgohet Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Shqetësimet kryesore që ngre ky raport lidhen me situatën e mbipopullimit në qendrat e vuajtjes së dënimit, me trajtimin në mënyrë të paligjshme të personave me sëmundje mendore, të cilët nga gjykatat kanë marrë vendime për mjekim të detyruar; keqtrajtime apo forma të tjera dhune në IEVP, si dhe pengimin në disa raste të punës së ekspertëve të Avokatit të Popullit, gjatë hetimit të këtyre rasteve të ushtrimit të dhunës.
Në fjalën e tij, Avokati Popullit, Igli Totozani, e vuri theksin tek mbipopullimi i institucioneve të shlyerjes së dënimit dhe trajtimi që i bëhet të dënuarve me probleme të shëndetit mendor:
“Ajo që vihet re dhe është e pranuar edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve është fakti i mbipopullimit nëpër institucionet e paraburgimit dhe ato të ekzekutimit të vendimeve penale. Mbipopullim me një mesatare vjetore prej 25% mbi kapacitet pavarësisht hapjes së IEVP Fier dhe IEVP Berat, si dhe rikonstruksionit të IEVP ‘Jordan Misja’. Një realitet, i cili patjetër duhet ndryshuar.
Mbetet akoma një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut dhe e ligjit për shëndetin mendor trajtimi i personave për të cilët nga gjykatat është vendosur masa mjekim i detyruar dhe shtrim i përkohshëm në Institucione penitenciare e spitale psikiatrike.
Së fundmi institucioni ynë ka rekomanduar mbylljen IEVP Krujë, si një institucion i cili nuk përmbush standardet për trajtimin e kësaj kategorie personash. Gjithashtu kemi rekomanduar marrjen e masave të menjëhershme për ngritjen e Institucionit të Posaçëm Mjekësor”, deklaroi Totozani.