Avokati i Popullit: “Të drejtat e minoriteteve duhet të jenë prioritet”
Në Gjirokastër u organizua një takim me avokatin e popullit, përfaqësues të OSBE-së si dhe përfaqësues të minoriteteve, për të diskutuar mbi mbi gjendjen e të drejtave të minoriteteve në Shqipëri.
Sot në Shqipëri njihen dy lloje minoritetesh, minoritetet etnike kombëtare ku përfshihet minoriteti Grek, minoriteti Maqedon dhe minoriteti Serbo-Malazez, si dhe minoritetet etno gjuhësore, ku përfshihen minoriteti Vllah dhe minoriteti Rom. Ekzistojnë edhe disa kominutete të tjera të ndryshme nga popullsia etnike shqiptare, siç janë komuniteti Boshnjak, komuniteti Egjiptian, apo edhe komuniteti Goran.
Avokati i Popullit i cilësoi minoritetet si një pasuri kombëtare e çmueshme për të shkuarën dhe të ardhmen e vendit ndaj dhe kërkoi që të drejtat e tyre të jenë prioritet për institucionet qeverisëse.
Një nga kërkesat e z. Igli Totozani ishte përmirësimi i anës ligjore, pasi vërehet mangësi. Avokati i Popullit ta se është mjaft e nevojshme miratimi i një ligji, ku të përcaktohet definicioni dhe kriteret e njohjes “de jure” të minoriteteve, në përputhje me Konventën “Për mbrojtjen e minoriteteve”, të ratifikuar në vitin 1999.
Ndër të tjera, zyra e Avokatit të Popullit kishte përgatitur një raport pas inspektimeve dhe mbledhjes së fakteve në terren mbi gjëndjen e minoriteteve:
– Perceptimi i përgjithshëm që ekziston tek minoritetet dhe komunitetet e tjera është se, barazia formale ekziston por ka elementë të jetës së përditëshme të cilat identifikojnë mungesën e barazisë thelbësore.
– Njohja e akteve normative që garantojnë të drejtat e minoriteteve shfaqet në nivel jo të kënaqshëm.
– Sa i takon masave që duhet të marrë shteti për ruajtjen e identitetit të minoritetit, identifikohet se nga ana e shtetit janë marrë përgjithësisht masa, por ato konsiderohen ende të pamjaftueshme nga ana e minoriteteve.
– Pjesëmarrja në sistemin arsimor shtetëror është e lirë dhe pa pengesa. E njëjta situatë shfaqet edhe në ushtrimin e lirisë së tubimit, organizimit në shoqata, apo të shprehjes së ndërgjegjes dhe besimit fetar. Konstatohet gjithashtu përdorim i lirshëm i gjuhëve minoritare, apo edhe i informacioneve personale në jetën e përditëshme. Kontaktet me personat e tjerë të së njëjtës kombësi, apo të kombësive të tjera jashtë kufirit janë të lira.
– Ekzistenca e shtypit të shkruar dhe mediave audiovizive lokale në gjuhën minoritare, vërehet se ka mungesa që vijnë kryesisht për shkak të mosfinancimit të tij nga ana e shtetit dhe aftësive të pakta që realisht ekzistojnë për financimin e tij, nga ana e individëve privatë.
– Përfshirja e njohurive në tekstet shkollore shtetërore mbi minoritetet në vend, është e pakët dhe e pamjaftueshme dhe se jo të gjithë fëmijët minoritarë marrin mësime në sistemin shtetëror arsimor, në gjuhën e tyre amtare. Shkollat me sistem dygjuhësh ekzistojnë, por jo për të gjithë minoritetet dhe ato janë të nivelit nëntëvjeçar.