Avokati i Popullit, rregullimet ligjore ndër rekomandimet për strehimin social
Ministria e Zhvillimit Urban prezantoi pak ditë më parë draftin final të projektligjit të ri për strehimin social. Ky projektligj synon të garantojë një numër më të madh përfituesish të kategorive të shtresave në nevojë.
Por, në raportin e fundit Avokati i Popullit ka sqaruar legjislacioni në fuqi për strehimin nuk garanton barazi thelbësore dhe pjesa më e madhe e familjeve që gëzojnë statusin e të pastrehut ende nuk mund të përfitojnë nga programet sociale për shkak të pamundësive të tyre në përmbushjen e kritereve të parashikuara në ligj.
Gjithashtu sipas institucionit të Avokatit të Popullit, problem tjetër në këtë projektligj është papërgatitja e bashkive për sigurimin e vendstrehimeve alternative emergjente për grupe në nevojë.
Sipas këtij institucioni nevojitet një bashkëpunim më i mirë midis organeve të qeverisjes vendore dhe atyre qendrore, me qëllim të plotësimit të kërkesave për strehim nëpërmjet sigurimit të fondeve të mjaftueshme dhe zhvillimit të politikave të reja sociale.
Zyrtarisht, statistikat flasin për 35,000 të pastrehë, por kjo shifër besohet të jetë edhe më e madhe duke qenë se ka shumë të padeklaruar. /m.g/
Burimi. Monitor.al