Avokati i Popullit reagon pas prishjes së banesave në Selitë, pa i lajmëruar banorët
Zyra e Avokatit të Popullit ka reaguar pas nismës së djeshme për prishjen e banesave në zonën e Selitës. Janë dhjetra familje rome që preken nga ndërtimi i Unazës së Re dhe shtëpitë e tyredotë prishen.
Institucioni i Avokatit të Popullit ka nisur një hetim mbi zbatimin e procedurave ligjore për prishjen e banesave, pasi siç thuhet në njoftimin për shtyp, janë 9 familje të komunietit rom që kanë ngritur pretendimin se janë njoftuar vetëm verbalisht nga ana e punonjësve të IKMT-së, për prishjen e banesave të tyre dhe nuk kanë marrë asnjë vendim të shkruar me afate konkrete për t’u larguar nga shtëpitë.
Në hetimin e kësaj çeshtjeje, Avokati i Popullit ka kërkuar edhe nga ana e Inspektoratit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit, vënien në dispozicion të praktikës dokumentare administrative që lidhet me njoftimet verbale të dërguara këtyre familjeve pak ditë më parë.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e këtyre familjeve, ngrenë pretendimin se disponojnë dokumentacion, i cili vërteton se banesat e tyre janë ndërtime ekzistuese, para gushtit të vitit 1991 thuhet në njoftim.
Avokati i Popullit ka kërkuar dokumentacionin përkatës nga ana e familjeve të komunitetit rome që vërteton se banesat e tyre janë objekte ekzistuese të para vitit 1991.
Në rast se vërtetohet që: objektet e këtyre familjeve janë të ndërtuara para gushtit të vitit 1991 dhe janë në kushtet e parashikuara në VKM 608, dt. 05. 09.2012; si dhe Bashkia e Tiranës ka filluar procedurë përkatëse për këto raste; atëherë çdo vendim i nxjerrë nga ana e ALUIZNI-t për përjashtim nga procesi i legalizimit për këto raste është i kundraligjshëm, sikurse edhe çdo praktikë administrative e filluar nga IKMT është gjithashtu e paligjshme.