Avokati i Popullit publikon studimin ku tregohet vlera e minimumit jetik në Shqipëri
Institucioni i Avokatit të Popullit (AP) prej 5 vitesh i ka dërguar kërkesa dhe rekomandime të vazhdueshme qeverive për të shpallur zyrtarisht minimumin jetik, por asgjë nuk është realizuar konkretisht. Në këto kushte AP e ka realizuar këtë studim rezultatet e të cilit u publikuan sot.
Sa është minimumi jetik në Shqipëri?
Nga studimi “Llogaritja e Minimumit Jetik – Nga minimumi jetik si mbijetesë drejt një standardi jetese të arsyeshme”, i realizuar nga Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER) rezulton se minimumi jetik në Shqipëri për vitin 2015 është 16 mijë lekë në muaj. Kjo shumë ndahet në 7,089 lekë në muaj për shpenzime ushqimore dhe 8,913 lekë në muaj për shpenzimet jo-ushqimore.
Minimumi jetik është përllogaritur mbi bazën e çmimeve të shportës ushqimore dhe nivelit më të ulët të shpenzimeve jo-ushqimore.
Çfarë është minimumi jetik?
Minimumi jetik tregon nivelin minimal të mjeteve të garantuara për të siguruar jetesën. Në legjislacionin shqiptar mungon përkufizimi si për përcaktimin të minimumit jetik ashtu edhe për detyrimin ligjor të përllogaritjes së tij. Në Shqipëri, niveli i pensioneve është i vendosur me ligj, ndërsa niveli i pagës minimale, madhësia në vlerë e ndihmës ekonomike, pagesës së papunësisë dhe pagesës së paaftësisë përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave. Asnjëri prej këtyre treguesve të varfërisë nuk bazohet drejtpërdrejt në treguesit e minimumit jetik, madje rezultojnë më të ulët krahasuar me këtë minimum jetik të përllogaritur nga studimi i realizuar nga Avokati i Popullit.
/l.k./