Protesta e opozitës e mbajtur ditën e shtunë u shoqërua me përplasje fizike mes qytetarëve dhe forcave të policisë, hedhje gazi lotsjellës si dhe shoqërime të qytetarëve, të cilët po hetohen nga autoritetet për veprime antiligjore.
Për këtë ka reaguar edhe institucioni i Avokatit të Popullit, i cili thekson se po hetohen rastet për gazin lotsjellës dhe për dhunën e pretenduar ndaj qytetarëve.
Sipas njoftimit zyrtar, Institucioni i Avokatit të Popullit ka monitoruar në mënyrë të kujdesshme tubimin e qytetarëve më datë 16.02.2019 si dhe sjelljen e autoriteteve tona ligjzbatuese gjatë dhe pas zhvillimit të këtij tubimi. Në përfundim të monitorimit, Avokati i Popullit ka konstatuar se protesta e 16 shkurtit është zhvilluar përgjithësisht brenda standardeve normale të një tubimi paqësor.
Qytetarët kanë qenë të pranishëm të shumtë në numër dhe – përveç një numri të vogël e të veçuar individësh – në një shumicë dërrmuese qytetarët janë shfaqur të qetë dhe të paangazhuar në akte kërcënuese për rendin, qetësinë dhe sigurinë publike.
Avokati i Popullit çmon se sado i parëndësishëm qoftë numri i qytetarëve që e injorojnë ligjin dhe përfshihen në veprime të dhunshme, cenimi i pronës publike si dhe veprimet në kundërshtim të sigurisë dhe rendit publik janë te papajtueshme me të drejtën kushtetuese të protestës dhe dëmtojnë jo thjesht pasurinë publike por edhe të drejtën e qytetarëve të tjerë për të protestuar paqësisht.
Nga verifikimet paraprake të ekipit monitorues është konstatuar se forcat e ruajtjes së rendit në përgjithësi e kanë menaxhuar me rregullsi protestën, pa u angazhuar në ushtrim dhune mbi qytetarët protestues. Gjithsesi, nisur edhe nga ankesa të ardhura prej qytetarëve të pranishëm në protestë, Avokati i popullit ka ngritur pyetje në lidhje me proporcionalitetin e përdorimit të gazit lakrimogjen apo edhe të pajisjeve të tjera shpërthyese që u hodhën nga forcat e ruajtjes së rendit mbi masën e qytetarëve gjatë protestës.
Gjithashtu Avokati i Popullit ka kërkuar të informohet zyrtarisht mbi protokollin zyrtar që zbatohet për përdorimin e këtyre lëndëve, llogaritjet sipas të cilave administrohet sasia e duhur për një numër të caktuar qytetarësh dhe të dhëna të tjera që do të përcaktojnë nëse sasia e përdorur e lëtyre lëndëve nga ana e forcave të rendit synonte vetëm neutralizimin e grupit të vogël të dhunuesve, apo intimidimin dhe privimin e një numri të madh protestuesish paqësorë nga ushtrimi i së drejtës së tyre kushtetuese për tubim.
Avokati i Popullit ka kërkuar dhe i është lejuar të zhvillojë takime me të 16 qytetarët e ndaluar nga Policia e Shtetit pas përfundimit të tubimit. Të pyetur individualisht nga Avokati i Popullit, 15 prej qytetarëve nuk kanë shprehur pretendime për ushtrim dhune apo për shkelje të procedurave standarde të ndjekura nga Policia e Shtetit në ndalimin e tyre. Në njoftim deklarohet se një shtetas i ndaluar nga policia me inicialet F.H ka deklaruar se është ushtruar dhunë ndaj tij, pretendim i cili do të ndiqet nga institucioni pas marrjes së dëshmive dhe provave. /k.j