Avokati i Popullit në takimin e Aleancës Globale për të Drejtat e Njeriut
Avokati i Popullit Igli Totozani, po merr pjesë në takimin e 29-të vjetor të Komitetit Ndërkombëtar Koordinues të Institucioneve Kombëtare të Promovimit dhe Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut që po zhvillohet në Gjenevë, Zvicër.
“Sfidat aktuale që lidhen me mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, është tema kryesore e diskutimeve, ku një rëndësi primare mori roli i Institucioneve Kombëtare të Promovimit dhe Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut (NHRI) në situata konflikti dhe postkonflikti, në çështjen e refugjatëve, azilkërkuesve, migrantëve dhe personave të zhvendosur, si dhe miratimi i një qasjeje bazuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, kryesisht ndaj intolerancës, racizmit dhe ksenofobisë.
Gjatë këtij takimi është miratuar një deklaratë e përbashkët për situatën e fluksit të emigrantëve.Në këtë deklaratë është përfshirë dhe rezoluta e Organizatës së Ombudsmanëve të Mesdheut, pas kërkesës së kryetarit të saj, Igli Totozani.
Avokati i Popullit zhvilloi edhe disa takime të veçanta me personalitete të rëndësishme të institucioneve ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Ai u takua me Zëvendëskomisioneren e lartë për të Drejtat e Njeriut në OKB, Kate Gilmore edhe përfaqësuesin e SHBA, Keith Harper.
/l.k./