Avokati i Popullit: Kryebashkiakët të krijojnë vendstrehime për grupet në nevojë
Në këtë fundvit, Avokati i Popullit, z. Igli Totozani, i ka dërguar rekomandim të gjithë Kryetarëve të Bashkive dhe Ministres së Zhvillimit Urban, znj. Eglantina Gjermeni, të marrin masa organizative për përgatitjen e vend-strehimeve për grupe në nevojë emergjente.
Duhet të krijohen vend-strehime nga organet e pushtetit vendor, me qëllim parandalimin e situatave që mund të rrezikojnë jetën apo shëndetin e njerzve në nevojë.
Sipas Avokatit të Popullit, objektia sociale e strehimit është mjaft e rëndësishme të realizohet sepse bën pjesë në të drejtat themelore të njeriut, duke e lidhur ngushtësisht me familjen.
“Duke iu referuar numrit të konsiderueshëm të ankesave të paraqitura pranë Institucionit të Avokatit të Popullit, kemi konstatuar se ka një numër të konsiderueshëm familjesh të cilat sot po përballen me nevoja ekstreme për të siguruar një vendstrehim”, shkruhet në rekomandim.
Gjithashtu thuhet se këto rekomandime vijnë duke marrë në konsideratë kushtet e vështira ekonomike si dhe vështirësia klimaterike në të cilat pritet të përballemi në muajt në vijim, temperaturat e ulëta veçanërisht në zonat malore.
/m.g