Avokati i Popullit: Institucionet shtetërore po i neglizhojnë problematikat e Personave me Aftësi të Kufizuara
Në një konferencë të zhvilluar për monitorimin e aksesit të Personave me aftësi të Kufizuar në shërbimet publike, Avokati i Popullit tha se PAK jan një ndër kategoritë më vulnerabël në shoqërinë tonë, pavarësisht heshtjes, apo neglizhencës së institucioneve përkatëse.
Avokati i Popullit theksoi se kjo kategori ndihet ende e diskriminuar pavarësisht ndryshimeve ligjore apo rritjes së ndjeshmërisë së shoqërisë ndaj shqetësimeve të tyre. Mes të tjerash, Totozani përmendi problematikat kryesore me të cilat ndeshen Personat me Aftësi të Kufizuara në vendin tonë.
“Nuk zbatohen dispozitat ligjore për punësimin e personave me aftësi të kufizuar, mungon ndërhyrja e shtetit nëpërmjet qëndrave publike të formimit profesional për personat me aftësi të kufizuar si dhe mbështetja me fonde nga buxheti i shtetit.
Mungon përshtatshmëria në ambjentet publike dhe private, duke shkelur në mënyrë flagrante ligjet e posacme, urdhërat dhe udhëzimet për përshtatshmërinë si dhe kushtet ligjore të dhënies së lejes së ndërtimit.
E njejta situatë ndodh edhe në transportin urban, personat me aftësi të kufizuar nuk kanë akses. Transporti urban publik në të gjitha qytetet është i paarritshëm për personat paraplegjik për shkak se nuk mund të ngjiten lirisht në urban, apo edhe për personat që nuk shikojnë, pasi nuk kanë informacion dhe sinjalistikën e nevojshme. Nuk ka vende të caktuar posaçërisht për ta.
Problem shqetësues mbetet aksesi i personave me aftësi të kufizuar në drejtësi, strukturat qeveritare në nivel qendror dhe lokal, media dhe biznes, i identifikuar si një prej 12 rekomandimeve prioritare të Komisionit Europian për Shqipërinë.
Nga ankesat e trajtuar nga Avokati i Popullit ka rezultuar gjithashtu se fëmijët me aftësi të kufizuar nuk kane akses ne ndjekjen e mësimit në shkollat publike, duke filluar që nga përshtatshmëria ndërtimore në shkolla.
Në përfundim, Avokati i Popullit ka sugjeruar se nevojitet një bashkërendim më i mirë i punës mes gjithë institucioneve shtetërore dhe aktorëve të shoqërisë civile, që realisht personave me aftësi të kufizuar t’u ofrohen të gjitha shërbimet sipas standardeve evropiane.
/m.g/