Avokati i Popullit: Burgjet deri në 1500 persona mbi kapacitet; të burgosurit flenë në tokë me turne
Zyra e Avokatit të Popullit ka publikuar draft-raportin e Mekanizmit për Parandalimin e Torturës. Monitorimet janë bërë në drejtoritë e qarqeve dhe komisariateve, spitale psikiatrike, baza dhe reparte ushtarake, qendrat rezidenciale të të huajve, të azilkerkuesve, dhe personave të trafikuar.
Mekanizmi për Parandalimin e Torturës ka bërë publike problemet e konstatuara gjatë monitorimit të burgjeve. Sipas këtij monitorimi në burgjet tona ka mbipopullim deri mbi 40 % të kapaciteteve dhe se të burgosurit flenë për tokë dhe me turne.
“Vihej re një gjendje alarmante e mbipopullimit në sistemin penitenciar, me deri 1500 persona mbi kapacitet. Veçanërisht problematike paraqitej situata në institucionet e paraburgimit: Jordan Misja, Fushë Krujë, Rrogozhinë, Elbasan, Berat, Drenovë, Vlorë, Tepelenë, Sarandë, Durrës e Lezhë funksiononin në pjesën më të madhe të kohës dukshëm mbi kapacitetin zyrtar” – thuhet në draft.
Në morinë e problemeve të konstatuara, Mekanizmi i Parandalimit të Torturës pranë Avokatit të Popullit vë në dukje mos zbatimin e marrëveshjes ndërmjet ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Drejtësisë për ngritjen e një institucioni shëndetësor të posaçëm për të burgosurit me probleme mendore, marrëveshje e cila ka mbetur në letër.
“Edhe gjatë vitit 2014, marrëveshja ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë për ngritjen e një Institucioni të Posaçëm Mjekësor, “Për Shëndetin Mendor”, me qëllim strehimin dhe trajtimin e personave që kanë marrë nga gjykata masën “mjekim i detyruar” dhe “shtrim i përkohshëm” nuk ka gjetur zbatim.”
Republika e Shqipërisë ka nënshkruar që në vitin 2003 Protokollin Opsional të Konventës kundër Torturës dhe Trajtimeve të tjera Çnjerëzore dhe Degraduese.