AP: Të ndëshkohen personat që përdorin gjakmarrjen për të kërkuar azil në BE
Avokati i Popullit, prezantoi në Shkodër një raport që paraqet situatën e gjakmarrjes në Shqipëri. Në raport theksohet se ekzistenca e fenomenit të gjakmarrjes në Shqipëri është e pranuar nga strukturat shtetërore, por ato nuk janë angazhuar në mënyrë serioze për ta luftuar.
Ndonëse ka 10 vjet që ka hyrë në fuqi ligji për krijimin e Këshillit Koordinues në luftën kundër gjakmarrjes, deri më sot nuk ka gjetur zbatim.
Totozani tha se disa nga hapat kryesore në luftën kundër gjakmarrjes janë zbatimi i ligjit për gjakmarrjen si dhe hartimi i një strategjie kombëtare në planin ekonomik, social, legjislativ dhe përcaktimi i detyrave konkrete për institucionet shtetërore, shoqërore, shkencore, fetare, etj.
Ai kërkoi gjithashtu evidentimin e plotë të numrit të familjeve dhe personave të ngujuar për të kuptuar përmasat dhe shtrirjen e fenomenit.
Në raport thuhet se duhet të rritet bashkëpunimi mes institucioneve përkatëse për të luftuar gjakmarrjen si dhe për të edukuar brezin e ri me frymën e tolerancës kundër vetëgjyqësisë, hakmarrjes e gjakmarrjes. Si dhe të punohet me autoritetet homologe të vendeve të BE-së për të hetuar personat që kanë përdorur gjakmarrjen për të kërkuar azil në ato shtete.
Gjakmarrja mund të luftohet me efektivitet vetëm në qoftë se strukturat shtetërore, shkollat, komunitetet fetare, media dhe shoqëria civile do të punojnë së bashku, sipas një strategjie të përbashkët. /m.g