AP: “Personave me aftësi të kufizuara u mohoet e drejta për punësim, përshtatmëri dhe drejtësi”
Në Ditën Kombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, Avokati i Popullit ka ngritur një sërë shqetësimesh në lidhje me punësimin dhe mungesën e aksesit dhe përshtatmërisë për këtë kategori të shoqërisë.
Shqipëria shkel ligjin për punësimin e PAK
Ai ka deklaruar së në Shqipëri shkelet legjislacioni për punësimin e PAK.
“Mbetet shqetësues fakti se nuk zbatohen dispozitat ligjore për punësimin e personave me aftësi të kufizuara. Mungon ndërhyrja e shtetit nëpërmjet qendrave publike të formimit profesional për përshtatjen e personave me aftësi të kufizuar në tregun e punës, apo mbështetja me fonde nga buxheti i shtetit i programeve për përshtatjen e vendeve të punës”, shprehet Z. Totozani.
Një tjetër problem është mungesa e përshtatmërisë në ambjentet private dhe ato publike, si edhe mungesa e aksesit në transportin public, ku veccse mungon sinjalistika dhe përshtatmëria shkelet edhe ligji për rimbursimin e biletës të transportit urban dhe interurban për PAK.
MUNGESA E AKSESIT NE DREJTESI
Problem shqetësues mbetet aksesi i personave me aftësi të kufizuar në drejtësi, strukturat qeveritare në nivel qendror dhe lokal, i identifikuar si një prej 12 rekomandimeve prioritare të Komisionit Europian për Shqipërinë. Avokati i Popullit, për të garantuar aksesin në drejtësi të personave me aftësi të kufizuar, i është drejtuar me rekomandim Ministrit të Drejtësisë.
Personat me sëmundje të rënda mendore, nuk trajtohen si PAK
Avokati i Popullit thekson se nevojitet identifikimi dhe vlerësimi i nevojave për PAK që banojnë në zona rurale, si dhe për personat me sëmundje të shëndetit mendor, të cilët nuk përfitojnë shërbime sociale dhe shëndetësore si persona me aftësi të kufizuar.
Sipas Avokatit të Popullit, për të ofruar shërbime sipas standarteve europiane për këtë kategori njerëzish, duhet një bashkërendim i punës midis institucioneve shtetërore dhe organizatave.
/l.k./