Amnesty International, hap debatin për legalizimin e protitucionit
Këshilli Ndërkombëtar i Organizatës për të Drejtat e Njeriut, Amnesty International, ka vendosur që të angazhohet për një legalizim të prostitucionit. Shumë aktiviste të grave janë të entuziazmuara, të tjera të tmerruara.
Sekretari i Përgjithshëm i Amnesty-së, Salil Shetty e quajti një “ditë historike” për organizatën. Shetty tha se synimi është që të mbrohen të drejtat e prostitutave. Por Amnesty dëshiron që në këtë mënyrë të angazhohet edhe për mosparaqitjen më si kriminelë të tutorëve të prostitutave dhe të pronarëve të bordeleve, kjo është pika që ka shkaktuar edhe më shumë kritika.
“Amnesty në anën e tutorëve”
Lea Ackermann, themeluese e Organizatës së ndihmës Solwodi, e cila kujdeset për viktimat e tregtisë së njerëzve, për prostitucionin e detyruar dhe për dhunën në marrëdhënie, i tha gazetës “Osnabrücker Zeitung”: “Amnesty merr anën e tutorëve dhe të tregtarëve të njerëzve.”.
Të tmerruar janë edhe tek revista feministe “Emma”. Kjo revistë shkruan: “Pikërisht një organizatë e themeluar për mbrojtjen e të burgosurve politikë kërkon të mbrojë nga dënimi pikërisht ata që fitojnë miliarda në tregtinë e grave dhe kalon në anën e dorasve”.
Organizata kundër Tregtisë së Grave, CATW, ku bëjnë pjesë edhe emra si aktoret e Hollivudit Meryl Streep, Kate Winslet dhe Emma Thompson që para shpalljes së vendimit pati deklaruar se emri i organizatës do të ndotet, nëse organizata vendos ashtu si vendosi.
Mbështetja nga Shoqata Profesioniste e Shërbimeve Erotike dhe Seksuale
Por vendimi ka gjetur edhe mbështetje. Johanna Weber, zëdhënësja politike e Shoqatës Profesioniste Shërbime erotike dhe seksuale tha: “Na nevojiten më shumë të drejta, kjo është mbrojtja jonë, dhe jo ndalime”.
Claudia Zimmermann-Schwarz, drejtuese departamenti në Ministrinë e Shëndetit, Emancipimit dhe Përkujdesjes nuk e kupton gjithë zemërimin, pasi në fund të fundit bëhet fjalë për marrëdhënie seksuale me marrëveshje dhe jo për varësi, shfrytëzim ose tregti njerëzish. “Ai që thotë se Amnesty International angazhohet për tutorët, ai i jep temës tipare skandaloze, gjë që nuk përshtatet fare me cështjen”.
Burimi: Deutsche Welle