Në vendimin e ditës së sotme, bordi drejtues i Autoritetit të Mediave Audiovizive, ka votuar në shumicë kundër projektligjit për rregullimin e Medias.
Tre anëtarët të bordit, Suela Musta, Sami Nezaj dhe Agron Gjekmarkaj dolën kundër projektligjit të debatueshëm në një deklaratë të përbashkët. Projektligji i cili po merret në shqyrtim nga Parlamenti, i iniciuar nga Ministria e Drejtësisë, synon të krijojë një sistem kontrolli administrativ mbi median online dhe t’i jap kompetencat për kryerjen e këtij kontrolli AMA-së.
Sipas deklaratës, tre anëtarët deklarojnë se janë “për forcimin e lirisë së mediave online, lirisë së mendimit dhe të drejtës për informim përmes rritjes së profesionalizmit, mbështetjes së mediave të reja, vetërregullimit të tyre, rritjes së edukimit për median, gjë që ndryshimet e parashikuara në ligj nuk e realizojnë.”
Në deklaratën e tyre gjithashtu thuhet:
“Propozimet e qeverisë ndrydhin lirinë dhe zhvillimin e medias informative online. Propozimet e qeverisë anashkalojnë një nga parimet më të rëndësishme të medias së shkruar atë të vetërregullimit ndërkohë që aktet ndërkombëtare dhe veçmas direktiva e BE për mediat audiovizive inkurajon edhe vetë rregullatorët ti japin përparësi këtij parimi.”
Projekligjin e kundërshtoi hapur OSBE , delegacioni i BE në Tiranë dhe organizatat e shoqërisë civile, por qeveria e riktheu të në Kuvend për votim pa ndryshime thelbësore duke injoruar alarmin e tyre për rrezikun që i kanosej medias. Drafti i jep AMA-s atributet e një gjykate duke i dhënë të drejtë gjobitjeje, madje dhe bllokimi.
Megjithatë, pavarësisht rrëzimit nga AMA të këtij drafti, fjala e fundit i mbetet Kuvendit që do ta kalojë në votim.