Evropa vazhdon të presë valë të shumta emigrantësh nga përtej Mesdheut. Me stabilizimin e gjendjes politike në Siri dhe pjesërisht në shtetet e tjera të Lindjes së Mesme duket se valët migratore nga lindja po shuhen, por janë ende të shumtë emigrantët që nga vende të ndryshme të Afrikës synojnë Evropën si të vetmen alternativë shpëtimi.
Në udhëtimin e tyre të gjatë për në Evropë, emigrantët bien pre e aktiviteteve të paligjshme dhe një nga problematikat më shqetësuese është ajo e abuzimeve seksuale. Sipas një studimi të Komisionit të Grave Refugjate (WRC) , meshkujt abuzohen pothuajse po aq sa gratë.
Emigrantët në mënyrë të përsëritur përballen me përdhunimin dhe torturën seksuale. Të dhënat e siguruara nga studimi në fjalë janë bazuar në dhjetra intervista me emigrantë dhe punonjës në qendrat e pritjes së tyre.
Në Libi situata paraqitet më shqetësuese se në vendet e tjera, pasi portet e Libisë janë kthyer në porte emigrantësh të paligjshëm, ku njerëz nga shtete të ndryshme afrikane mblidhen dhe në kushte të vështira presin të kalojnë Mesdheun për në brigjet italiane. Ato të cilët nuk arrijnë të kalojnë detin, vendosen në qendra paraburgimi nga roja bregdetare libiane, ku përballen me shumë abuzime dhe dhjetëra shkelje të të drejtave të njeriut.
Ka shumë raste ku emigrantët janë filmuar ndërsa torturohen dhe pamjet janë përdorur për të kërkuar pagesa për familjet e tyre, thotë studimi, duke shtuar se rreziku i abuzimit seksual është pothuajse aq i lartë për meshkujt sesa për emigrantët femra.
Emigrantët gjithashtu po shfrytëzohen seksualisht dhe në Itali. Studimi thotë se “dhuna seksuale e ushtruar kundër migrantëve në udhëtimin e tyre përfshin torturën seksuale, dhunën gjenitale dhe kastrimim, dhunën seksuale vdekjeprurëse dhe raste ku burrat dhe djemtë detyrohen të përdhunojnë njëri-tjetrin, duke përfshirë anëtarët e familjes dhe kufomat.”.
“Dhuna seksuale ndaj refugjatëve dhe emigrantëve femra dhe meshkuj duket të jetë e përhapur përgjatë rrugës së migrimit, veçanërisht në Libi, ku dhunimi seksual dhe tortura kryhen në qendrat e ndalimit dhe në burgjet klandestine gjatë ndalimeve të rastësishme dhe pikave të kontrollit, përfshirë dhe në formën e punës së detyruar dhe skllavërimit. Fakti që refugjatët dhe emigrantët që përpiqen të kalojnë Mesdheun janë kapur dhe dhunuar në forma të tilla është e papranueshme”./k.j