Pyetjet në lidhje me racizmin e anasjelltë shpesh dalin kur mësojmë ose trajnohemi mbi temën e anti-shtypjes. Shpesh gjejmë njerëz të Bardhë që mendojnë se ata, ose miqtë e tyre, kanë qenë viktima të racizmit të anasjelltë. Këto histori dhe pyetje lindin kur njerëzit nuk e pranojnë se, që diçka të jetë raciste, ajo duhet të mbështetet nga pushteti sistemik dhe kulturor.
A përjeton Gary racizëm të anasjelltë?
Për shembull, në Hong Kong dikush i quajtur Gary (Gwai Lo), do të thotë djall i huaj ose person fantazmë e bardhë, dhe disa herë në qytetin e Nju Jorkut ai është quajtur “honkey” ose “bardhosh”. Këto ngjarje nuk janë racizëm, sepse këto fjalë nuk janë të lidhura me sistemet e pushtetit në nivele sistematike dhe kulturore që e ulin Gary-n dhe e lëndojnë atë në dimensione të shumta të jetës së tij. Edhe në Hong Kong, në vend që të jetë i pafavorizuar nga vendndodhja e tij shoqërore, Gary fiton përparësi duke qenë i bardhë dhe qartësisht britanik. Rrjedhimisht, njerëzit e bardhë mund të ndihen të parehatshëm nga termat nënçmues, qëndrimet dhe madje veprimet e dëmshme ndaj tyre për shkak të racës së tyre, por ata nuk përballen me shtypjen e pamëshirshme të përditshme të pushtetit dhe shtypjes personale, sistemike dhe kulturore për shkak të racës.
Rrjedhimisht, poshtërimet dhe komentet nënçmuese racore ndaj Gary-t dhe njerëzve të tjerë të bardhë, mund të konsiderohen lënduese dhe të gabuara, por ato mund të konsiderohen raciste vetëm nëse mbështeten nga shtypja sistematike dhe kulturore.
June përballet me racizmin
June përballet me racizëm pothuajse të vazhdueshëm nga shtypja sistematike dhe kulturore, të cilat i japin çdo komenti nënçmues racor që ajo merr në një nivel personal, një kuptim të ndryshëm nga ai që mund të marrë Gary. Kjo për shkak se komentet nënçmuese racore, përforcojnë shtypjen e bazuar në racë me të cilën ajo përballet në nivele sistematike dhe kulturore. Për shembull, në shkollë June-n e ngacmonin për emrin e saj të mesëm “Ying” dhe këshillohej nga miqtë e saj që të mos e përdorte sepse e bënte të tingëllonte “shumë etnike” . Gary kishte probleme me emrin e tij të mesëm në shkollë; “Cornelius” ishte aq jashtë modës sa e ngacmonin vazhdimisht për të. Nuk mund të themi se kush u lëndua më shumë, Gary apo June, por mund të themi se natyra e ngacmimit ishte e ndryshme. Gary tallej për shkak të një emri, ndërsa June tallej për shkak të asaj që ishte; emri i saj lidhej me identitetin e saj racor. Kjo do të thotë se shokët e shkollës së June, po riprodhonin dhe përforconin një mesazh me të cilin June dhe njerëzit e tjerë aziatikë përballen pothuajse në çdo aspekt të jetës së tyre në Kanada: një mesazh që nënkuptonte se ata nuk i përkasin asaj shoqërie.
Në të vërtetë, në vitin 2010, revista kanadeze Maclean botoi një artikull në faqen e parë të titulluar “Shumë Aziatikë”, i cili ankohej se “shumë” studentë aziatikë po ndiqnin universitetet kanadeze . Gjithashtu, kur Kanadaja shpalli dizajnin e ri për kartëmonedhën e re prej 100 dollarëshe me imazhin e një gruaje kanadeze me trashëgimi aziatike në anën e pasme të saj, njerëzit u ngritën në protesta publike duke deklaruar se gruaja nuk ishte “mjaft kanadeze”. Qeveria e zëvendësoi shpejt imazhin me një grua të bardhë . Mesazhi ishte i qartë: June dhe ata si ajo nuk i përkasin strukturës kanadeze.
Gary-t nuk i është thënë kurrë se ai është “shumë britanik” ose se ai “nuk është mjaftueshëm kanadez”, as nuk përballet me një model makro (në mbarë shoqërinë) përjashtimi ose refuzimi. Rrjedhimisht, ngacmimi i Gary-t për emrin e tij të mesëm, mund të jetë lëndues dhe i papërshtatshëm, por nuk lidhet me një sistem shtypjeje bazuar në atë se kush është ai. Në të kundërt, ngacmimi i June për emrin e saj të mesëm, lidhet me sistemet e përjashtimit, gjë që i bën komentet nënçmuese për emrin e June një mikroagresion racor.
Edhe pse ne e kuptojmë ndryshe ngacmimin e Gary dhe June për emrat e tyre të mesëm, kjo nuk do të thotë se ngacmimet ishin të pranueshme; thjesht do të thotë që ne e kuptojmë natyrën dhe implikimet e secilit ndryshe. Gary u përball me bullizmin, June u përball me bullizmin dhe racizmin. Gary u përball me shpërfillje dhe një ndjenjë përjashtimi për shkak të emrit të tij, June ndjeu përjashtim dhe shpërfillje për shkak të asaj që ishte.
Përktheu: Alba Ahmetaj
Referenca: 1(Yee & Dumbrill, 2016)
2(Cui & Kelly, 2013)
3(The Canadian Press, 2012)