Muaji gusht i këtij viti shënon 400 vjetorin e mbërritjes së skllevërve të parë afrikanë në Virxhinia të Shteteve të Bashkuara.
Zbarkimi i tyre në Virxhinia shënoi fillimin e një prej kapitujve më të errët të historisë amerikane dhe botërore.
Katër shekuj më parë një anije angleze me emrin Luani i Bardhë mbërriti në brigjet e Virxhinias duke sjellë njerëz për t’i shkëmbyer me mall e artikuj bujqësorë.
Skllavëria i ka fillimet në Virxhinia dhe po këtu u ndërmorën tentativat e para për t’i dhënë fund këtij fenomeni. Gjatë Luftës Civile, tre skllevër u arratisën nga Ushtria e Konfederatës dhe shkuan në Fortesën Monroe, ku kërkuan mbrojtje nga trupat e Unionit.
Gjeneral Majori Benjamin Butler i ushtrisë së Unionit deklaroi se skllevërit do të trajtoheshin si kontrabandë e kapur nga forcat armike. Ky vendim frymëzoi mijëra skllevër të tjerë të arratiseshin dhe të kërkonin strehim pranë trupave veriore, duke nxitur një lëvizje më të gjerë.
Gjatë luftës civile, veriu i zhvilluar industrialisht vendosi eleminimin e skllavërisë dhe shpalljen e saj të paligjshme, vendim që u kundërshtua nga shtetet e jugut, të cilat krijuan një konfederatë e nisën luftën civile, që zgjati 4 vite midis 1861 dhe vitit 1865.
Fortesa Monroe është tani monument historik, një objekt madhështor ku brezat e ardhshëm të amerikanëve mund të mësojnë për historinë e hershme të kombit të tyre.
Me përfundimin e luftës civile dhe shpalljen e skllavërisë së paligjshme, në SHBA nisi një periudhë e gjatë segregimi dhe ndarje racore midis popullsisë. Kjo ndarje do vijonte për thuajse 1 shekull, deri kur në vitin 1964, kur qeveria federale e SHBA miratoi Aktin për të Drejtat Civile ku diskriminimi në bazë të racës, origjinës, seksit apo besimit fetar u shpall i paligjshëm, vendim triumfues i përpjekjeve disa vjeçare të aktivistëve me ngjyrë dhe grave, mes të cilëve dallohet dhe Dr.Martin Luther King./ k.j
Burimi:Zeri i Amerikes