34-vjeçari nga Dibra simulon krimin, për të fituar azil në Gjermani
Në muajin prill, 34-vjeçarit Femi Nezha nga Dibra iu refuzua statusi i azilkërkuesit në Gjermani, gjë që e detyroi të kthehet bashkë me familjen në Shqipëri. Pak ditë pas kthimit, 34-vjeçari banues në Laprakë të Tiranës dyshohet se ka simuluar një ngjarje kriminale me qëllim pasjen e një argumenti për të fituar azilin në vendet e BE-së.
Mbrëmjen e 30 prillit, shtetasi Femi Nezha ka shkuar tek shtëpia e xhaxhait të tij në Lurë të Dibrës ku dyshohet se ka qëlluar me armë ndaj murit të banesës. Pas këtij veprimi Nezha ka njoftuar fillimisht median e më pas policinë, duke treguar se është qëlluar me armë në drejtim të banesës ku ndodhej ai.
Por ka qenë policia e Dibrës ajo që i ka prishur planet 34-vjecarit Nezha. Blutë e Dibrës kanë zbuluar se autori i sulmit ndaj shtetasit Q.N, ka qenë pikërisht nipi tij që është arrestuar mbrëmjen e djeshme.
Sipas një njoftimi për shtyp, në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar gëzhojat e qëlluara nga autori ndaj shtëpisë.
Materialet hetimore ndërkohë i kanë kaluar Prokurorisë së Dibrës që ka ngritur akuzat e armëmbajtjes pa leje dhe përdorimit të armëve të zjarrit, si dhe atë për pengimin e së vërtetës, për shkak të fshehjes së provave.
/l.k./