3 raste të denoncuara të dhunës policore brenda pak javësh
Brenda pak javësh Policia e Shtetit është akuzuar nga qytetarët për tre raste të dhunës ndaj të ndaluarve, të dyshuar për krime të vogla.
Ngjarja më e fundit ishte ajo e ditës së sotme, ku 47 vjeçari Ardian Kallami kreu vetëvrasje pak orë pasi ai kishte dalë nga Komisariati i Vaut të Dejës. Kallami ishte ndaluar dhe marrë në pyetje mbi një vjedhje që ishte bërë në banesën fqinje.
Familjarët e Kallamit dyshojnë se ai ishte dhunuar në komisariat nga efektivët e policisë, në mënyrë që ai të pranonte krimin. Ata kanë deklaruar se 47 vjeçari kishte arritur të regjistronte seancën e marrjes në pyetje me anë të telefonit të tij celular.
Pas akuzave të familjarëve Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka urdhëruar pezullimin nga detyra të një shefi dhe dy punonjësve të policisë në Komisariatin e Vaut të Dejës.
Vdekja e Enea Ftojit në qelinë e paraburgimit
Akuza të vdekjes si pasojë e ushtrimit të dhunës policore janë hasur dhe më herët këtë muaj.
Vdekja e Enea Ftojit në qelinë e paraburgimit ngjason shumë me rastin e dhunës së ushtruar ndaj Ardian Kallamit. Familjarët e Ftojit kryen një sërë protestash me pretendimin se i riu gjeti vdekjen nga dhuna dhe keqtrajtimi e efektivëve të policisë në Komisariatin e Korçës. Ata filmuan pamje të trupit të të riut nga morgu, ku dukeshin qartë shenja të dhunës fizike. Gjithashtu pak kohë pas përfundimit të një prej protetave, disa nga aktivistët morën një telefonatë ku i kërkohej të paraqiteshin në Komisariatin Nr. 1 në Tiranë.
“Na mbajtën rreth 45 minuta, na bënë disa pyetje dhe plotësuam deklaratën” tha një prej aktivistëve të ndaluar për Historia Ime.
Rasti i dhunës ndaj Mariglen Mukës në Komisariatin e Korçës
Në Komisariatin e Korçës është evidentuar një tjetër rast dhune në fillim të këtij muaji. 34 vjeçari Mariglen Muka ka deklaruar se punonjësit e policisë në këtë komisariat kanë ushtruar dhunë e presion ndaj tij në mënyrë që ai të pranonte autorësinë e disa vjedhjeve në fshatin Kamenicë.
“Kur mohova akuzat, polici që më mori në pyetje më fyu dhe më pas më goditi me grushta dhe shkelma në kokë dhe pjesën e barkut. Nga goditjet humba ndjenjat. Pasi u përmenda më çuan në një tjetër zyrë dhe erdhi një mjek më bëri një qetësues sepse kisha shqetësime”, ka rrëfyer Muka për Top Channel.
Ndonëse Policia e Shtetit është një institucion rregullator ku qytetarët gjithashtu duhet të gjejnë mbrojtje, pikërisht në ambjentet e këtij institucioni ata gjejnë dhunë dhe presion. Mesa duket punonjësait e policisë po gjejnë një rrugëzgjidhje më të lehtë duke detyruar qytetarë nëpërmjet dhunës të marrin autorsinë e krimeve se sa të gjejnë autorin e vërtetë të tyre./M.B