10-vjeçari po ecte me biçikletë, aksidentohet për vdekje; Ecovolis: “Shtet kriminel, vratë vogëlushin me biçikletë”
Një 10 –vjeçar ka humbur jetën në fshatin Prush të Tiranës si pasojë e një aksidenti. Vogëlushi po ecte me biçikletë në një rrugë periferike kur është aksidentuar nga 42-vjeçari I.J që drejtonte një automjet tip “Dacia”.
Fëmija i aksidentuar është dërguar në spital ku ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra.
Aktivistët mjedisorë të grupimit Ecovolis kanë reaguar mbi këtë ngjarje duke akuzuar shtetin për mungesë të sigurisë në rrugë dhe për lënien në harresë të plotë të rrugëve interurbane të dedikuara për biçikleta.
Reagimi i grupimit Ecovolis:
“Sot një vogëlush tjetër vdiq me biçikletë. Këtë herë në fshatin Prush, u aksidentua çiklisti i radhës, vetëm 10 vjeç, u godit pabesisht nga një makine. Nuk është e para herë, nuk është as e fundit. Rrugët tona janë një turp për nga siguria! Po më turp akoma është që korsitë e biçikletave nuk figurojnë kurkund në rrugët interurbane. Dhe pse jemi në 2016 dhe në të gjithë boten po ndërtohen autostrada për çiklistët, siguri maksimale dhe po i jepet prioriteti që meriton, këtu as nuk figuron si mjet transporti. Ministria që buxheton rrugët nuk e ka konsideruar në asnjë projekt biçikletën si mjet transporti. Nuk ka planifikuar as për 10 vitet e ardhshme, rrugë ndërurbane për biçikleta. Në këtë mënyrë një kasaphanë e madhe çiklistësh po ndodh në të gjithë Shqipërinë me fajtor Ministrinë e Transportit, e cila i ka lënë në rrugë të madhe, në mëshirë të makinave. TURP! Një shtet që ekspozon qytetarët e tij, në këtë rast një vogëlush në rrugë të madhe pa asnjë siguri, është një shtet kriminel. Sot i bashkohemi hidhërimit të familjes të vogëlushit, të premten ftojmë të madh e të vogël që pedalon të bëhemi bashkë të kërkojmë sigurinë për jetët tona. DUAM KORSI, DUAM SIGURI!”
Në fund të deklaratës ata i bëjnë thirrje qytetarëve të bashkohen në protestën “Liro Korsitë” më 21 tetor.
/l.k./