T’du qashtu qysh je/ Hapet Java e Krenarisë në Kosovë!

Në Kosovë ka nisur Java e Krenarisë në kuadër të “Prishtina Pride”.
Gjatë gjithë kësaj jave atje do të mbahen dhjetëra aktivitete, ndërsa ngjarja do të kulmojë me 10 qershor në orën 17 kur do të mbahet edhe parada e krenarisë.
“Java e Krenarisë, paralelisht me fuqizimin e personave LGBTIQ+, synon të ngrisë vetëdijen kolektive dhe dukshmërinë e orientimeve seksuale dhe/ose identiteteve gjinore të ndryshme në shoqërinë kosovare, të adresojë çështje të situatës aktuale të personave LGBTIQ+ dhe të luftojë diskriminimin dhe trajtimin e pabarabartë të personave LGBTIQ+ në Kosovë. “-thuhet në faqen zyrtare të “Prishtina Pride”.
Këtë vit slogani i javës së krenarisë është “T’du qashtu qysh je” ndërsa organizatorët thonë se përmes këtij sllogani në këtë edicion duam të përçojmë një mesazh mbështetës për të gjithë që janë duke u përballur me sfidat e stresit, ankthit, dhe depresionit që janë pasojë direkte e homofobisë dhe transfobisë sistematike nga shteti, shoqëria, dhe familja. Me “T’du qashtu qysh je” duam t’ua rikujtojmë të gjithëve se nuk janë të vetëm. Dashuria, pranimi dhe ndërtimi i hapësirave të sigurta, përveç ndihmës profesionale është thelbësore për parandalimin dhe kalimin e sfidave të shëndetit mendor.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë sot në ceremoninë e hapjes së Javës së Krenarisë.
Pjesëmarrëse ishte edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu.
Para të pranishmëve të shumtë, Kurti tha se në fillimin e Javës së Krenarisë, kujtohemi se liria për të dashuruar është e drejtë universale, duke e quajtur dashurinë një lloj kushti të lirisë.
Zyra e Kryeministrit përmes një njoftimi tha se Kurti është shprehur se të lashtët e kuptonin Dashurinë si një lidhje ndërmjet shpirtrave, e cila shkon përtej botës fizike.
“Ata i jepnin rëndësi jo vetëm në lidhje romantike, por edhe në lidhje të kultivuara me prindërit, fqinjët, të panjohurit dhe hyjnitë”, është shprehur Kurti.
Osmani tha se megjithëse Kosova ka bërë përparime të shumta ndër vite në promovimin e barazisë për personat e komunitetit LGBTI+, mbetet “ende shumë e shumë punë për të bërë”.
“Personat LGBTI+ janë padiskutim ende shënjestër e dhunës, diskriminimit dhe stigmatizimit, që vazhdojnë të mbesin pengesë për ta arritur qëllimin tonë të përbashkët – ndërtimin e një shoqërie më të barabartë për të gjithë”, tha Osmani.
Në hapjen zyrtare të Javës së Krenarisë Blert Morina, aktivist për të drejtat e njeriut si dhe pjesë e grupit organizativ të Prishtina Pride mbajti nje fjalim që emocionoi të pranishmit.
“Une edhe sot, jam midis jush, duke kërkuar liri. Në fakt, duke kërkuar prej jush, që të mendoni mirë se përse, sot, këtu, ku edhe ne jemi qytetarë të Republikes së Kosovës, më duhet të kërkoj liri. Në fjalët e Margaret Atwood, po kërkoj liri në dy rrafshe, liri për dhe liri nga.
Liri për të qenë të lirë nga dhuna, liri për të dashur, e për të pranuar dashuri haptaz, liri për t’u njohur.
Por sot, do të përqendrohem në gjërat nga të cilat duam liri. Duam dhe kërkojmë liri nga shtypja, përçmimi i përditshëm i individeve LGBTI. Kërkojmë liri edhe nga shpërfillja, nga mospërmendja, nga përçmimi.
Si transburrë, vetë hapësirat në të cilat ndodhem janë të palira. Rruga për të ardhur këtu është e palirë. Ligjet janë të palira. Deputetët e deputetet e shtetit ku edhe ne jemi qytetarë janë agjentë të kësaj palirie. Prandaj, po, kërkesa jonë mund të duket krejt themelore, sepse të drejtat tona krejt themelore nuk njihen dhe shoqëria jonë, krejt në themel, ushqehet përditë me urrejtje.”-tha Blert Morina./ HistoriaIme