Shqiptarët në Britani, historia e Antonios që iku me gomone!

Nga Isa Myzyraj
Antonio iu bashkua mijëra shqiptarëve verën e vitit 2022 në një udhëtim të rrezikshëm për në Britaninë e Madhe me varka të vogla nga Franca.
23 vjeçari nga Shkodra u nis nga Tirana fillimin e gushtit të vitit të kaluar për një jetë më të mirë në tokën e premtuar për Shqiptarët, u nis për të jetuar ëndërrën britanike.
“Unë e dija që të jesh gej në Shqipëri është e vështirë, u desh të jetoja gjithë këto vite i mbyllur, duke gënjyer gjithkënd për gjithçka”-thotë 23 vjeçari, i cili ndodhet aktualisht në Londër.
Ndryshe nga shumica e bashkëmoshatarëve të tij, ai nuk kishte probleme ekonomike, por udhëtimi i rrezikshëm i tij ndodhi për shkak të asaj që ai i quan “probleme sociale”.
“Nëse shumica ikin për para, për kushte të vështira ekonomike nga Shqipëria, unë ika sepse doja të jetoja një jetë jo vetëm të sigurtë, por një jetë që më jepte siguri dhe qetësi shpirtërore”-thotë ai.
Nisja e një jete të re nuk ishte e lehtë për të, Britania e Madhe ka vështirësuar marrjen e një azili nga emigrantët shqiptarë prej vitit të kaluar ndërsa Antonio me të Shkuar në Britani të Madhe nisi procedurat për azil.
Fillimisht ai u dërgua në një prej hoteleve ku qëndrojnë në pritje emigrantët për procesurat e azilit, e më vonë në një shtëpi tek një i afërm i tij.
Ai i druhet një vendimi të Britanisë që mund të dërgojë emigrantët në Ruanda në pritje të azilit, gjë e cila më herët është kundërshtuar nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut.
Prej disa muajsh 23-vjeçari ka nisur duke punuar si kamarier në lokalin e të afërmit të tij, ndërsa shprehet se është në pritje të një pune tjetër në grafik dizajn në një kompani të vogël e cila i ka ofruar punë dhe ndihmë që ai të jetë legal në Britani.
“Ëndërra ime është që të nis një jetë normale, të punoj dhe të krijoj të ardhurat e mija në Britani-shprehet i riu i cili thotë se një kthim i mundshëm në Shqipëri do të jetë shkatërrues për të.
Pak ditë më parë Home Office ka nisur një fushatë reklamuese që synon shtetasit shqiptarë për t’i penguar ata të emigrojnë në Britani të Madhe.
Reklamat, të cilat do të shfaqen në shqip në Facebook dhe Instagram, do të paralajmërojnë se njerëzit do të “përballen me ndalimin dhe largimin” nëse bëjnë udhëtimin.
Qeveria tha se fushata, do t’i “bëjë të qarta rreziqet” me të cilat përballen emigrantët në varka të vogla.
Sipas Home Office, Shqipëria është një “vend i sigurt dhe i begatë” dhe shumë shtetas “po udhëtojnë nëpër vende të shumta për të bërë udhëtimin në MB” përpara se të bëjnë “kërkesa të rreme për azil kur të mbërrijnë”.
Tim Naor Hilton, shefi ekzekutiv i Refugee Action, e quajti fushatën “të pakuptimtë” dhe tha se ajo “përsërit mitin se migrimi i refugjatëve është i paligjshëm”.
Ai tha: “Kjo është një tjetër fushatë e pakuptimtë që tregon se ministrat refuzojnë të kuptojnë se një pakicë e vogël refugjatësh në botë kanë arsye shumë të fuqishme për të ardhur këtu.
“Nëse qeveria do të donte të shkatërronte bandat e kontrabandës dhe të ndalonte njerëzit që kalonin Kanalin me varka të dobëta, do të krijonte rrugë më të sigurta për refugjatët që të udhëtonin këtu për të kërkuar azil.”/ HistoriaIme