Shpifjet e Arjan Çanit dhe Akil Panos!

Në vendet me demokraci të zhvilluar, televizioni dhe gazetarët duhet të jenë jo vetëm të pavarur politikisht, por edhe të vërtetë. Duhet të kontrollojnë faktet për të cilat raportojnë, dhe mbi të gjitha duhet të shohin 360 gradë në raport me lajmin dhe debatin publik të një çështje të caktuar.
Disa muaj më parë në emisionin “Zonë e Lirë” në “Abc News” ishte i ftuar Akil Pano, në një intervistë perballë moderatorit, Arjan Çani.
Në “çmontimin” rrjesht për rrjesht të asaj interviste, mund të vërehen se moderatori i emisionit ka thyer hapur etikën e medias dhe të gazetarëve, e cila sugjeron paanësinë në debat, por akoma më tej një pastor në vendin tonë siç është Akil Pano në një television të rëndësishëm foli sikur në Shqipërinë e para viteve 90, kur flitej saktësisht kundër “Imperializmit Amerikan dhe Anglez”.
Për rikujtim, edhe diktatori Enver Hoxha, jo vetëm që fliste por edhe botoi një libër për rrezikun që i kanosej vendit tonë nga “imperializmi amerikan dhe anglez” ndërsa në të njëjtën gjuhë flet në 2023 Pastori teksa përmend tanimë “imperializmin perëndimor”.
Por çfarë u tha saktësisht?
Arjan Çani ia nisi emisionit me një përshkrim të situatës duke dhënë “lajmin e madh” se Pastori paska fituar një gjyq të rëndësishëm.
Arjan Çani: Sot, ti bashkë me grupin tënd keni fituar një gjyq shumë të rëndësishëm përsa i përket shoqërisë në përgjithësi. Është fitorja e “Mamit” dhe e “Babit” kundër “prindit 1” dhe “prindit 2”.
Pano: Dhe jo vetëm. Është fitorja e lirisë, përkundrejt asaj që njihet si kultura e ndalimit. Është fitorja e atyre vlerave të traditës, të kulturës tonë kombëtare, përkundrejt asaj që është imperializëm kulturor. Është fitorja e atyre burrave baballarëve, e atyre nënave grave që me aq mund rrisin fëmijët e tyre.
Historia Ime ka bërë në të shkuarën artikuj për këtë situatë, ku ka hedhur poshtë me prova që në asnjë gjykatë në Republikën e Shqipëri nuk ka pasur një gjyq për “fshirjen e termave “nënë” dhe “baba”, por e gjitha kjo është një propagandë dhe dizinformim i qëllimshëm i publikut shqiptar kundër komunitetit LGBTQ+. Themi i qëllimshëm, sepse kemi parë që pas kësaj lëvizjeje të fuqishme kundër një çështje që nuk ekziston në Shqipëri, siç është “prindi 1” dhe “prindi 2”, menjëherë u krijua “Koalicioni pro familjes tradicionale” që u sjell përfitime të tjera.
Mbi të gjitha, asnjë organizatë LGBTQ+ në Shqipëri nuk ka kërkuar kurrë, zëvendësimin e termave “nënë dhe baba” me “prindi 1 dhe prindi 2”.tet
Në këtë artikull keni të gjitha shpjegimet hap pas hapi.
Por në emision kishte edhe të tjera gënjeshtra.
Akil Pano tha: Në vitin 2021 u hap një debat i madh në media, debati ishte mbi çështjen “prindi 1” dhe “prindi 2” në disa formularë që u shpërndanë në kopështet e Tiranës, nga ku u nis e gjithë gurguleja e madhe.
ËSHTË E PAVËRTETË!
Debati aso kohe nisi nga një emision po në televizionin “Abc News” ku ishte e ftuar Xheni Karaj, e cila në asnjë moment gjatë emisionit nuk ka kërkuar zëvendësimin e fjalëve “nënë dhe baba” me “prindi 1 dhe prindi 2”, por ishte një emision që fliste për një situatë të tillë në Britani të Madhe dhe u duk haptazi që ishte një kurth që i ngrihej Xhenit dhe komunitetit LGBTQ+.
Intervista vijon më tej…
Çani: Nga kush shpërndahej?
Pano: Bashkia e Tiranës, në atë kohë u tërhoq, pasi u bë zhurmë e madhe dhe tha “nuk jemi ne”. Më pas ne marrim vesh, u tha që ishte një individ që po bënte punimin e tij ose saj doktoral, dhe po përdorte këto lloj formularësh por në fakt ishte thjesht një test për të parë nëse shoqëria do i përgjigjej apo jo…
Pastori Akil Pano përmes një postimi në rrjetin e tij social, foli të mërkurën e 27 tetorit të vitit 2021 për shërndarjen e një formulari në kopshtet e Tiranës ku në vend të termave “nëna” dhe “babai” është shënuar ‘Prindi 1’ dhe ‘Prindi 2’.
I ashtuquajturi formular, qartasi në dukje ishte i çuditshëm. Kushdo që e ka bërë, apo kushdo që e ka fotografuar kishte një “hile” brenda. Aty as nuk tregohej ndonjë logo institucioni, as firmë, as vulë, as nuk përmendej burimi fillestar i tij.
Pastori Pano, nxitoi të shkruante me bindje se kjo gjë që sipas tij kishte nisur të aplikohej nëpër kopështet e kryeqytetit, kishte lidhje me të ashtuquajturën “Agjenda Gay”.
Ishte Bashkia e Tiranës, e cila përmes zyrtarëve të saj, jo vetëm që hodhi poshtë pretedimin, por mohoi se një formular i tillë ekziston nëpër kopështet e kryeqytetit.
Sipas Bashkisë së Tiranës, në formularët zyrtarë që përdoren për regjistrimin e fëmijëve në çerdhe dhe kopshte, nuk përdoren terma të tillë dhe lajmi i qarkulluar është fake neës.
Më vonë moderatori e pyet pastorin:
Çani: A është shoqata LGBTI që i ka shpërndarë?
Pano: Ata thonë se nuk kanë qenë ata, unë nuk e di se kush i ka shpërndarë.
Çani: Nuk na intereson se kush i ka shpërndarë
Fjalia e fundit e Arjan Çanit, në vetvete është shqetësuese. Si mundet një gazetari të mos i interesojë kush e ka nisur një debat për të cilin ai po bën emision. Nga ai debat dhe nga “dikush” që nuk është gjetur, komuniteti LGBTQ+ ka përjetuar dhunë verbale, fyerje dhe diskriminim për muaj të tërë, dhe fjalia “Nuk na intereson se kush i ka shpërndarë” nuk ka lidhje as me gazetarinë, as me etikën.
Pano: Në këto dy vite na kanë nxirë jetën… Janë disa grupe që jetojnë përmes fondeve, përmes projekteve që tërheqin nga puna e tyre.
Çani: Biznes, është biznes
Akuza specifike e Akil Panos ndaj organizatave LGBTQ+, edhe pse shpesh vjen e shoqëruar ose dhe e fshehur midis argumentave të ndryshëm është kjo: cit
Pano: Askush nuk ka të drejte të xhenderizojë dhe seksualizojë fëmijët e qytetarëve shqiptarë në kopshte dhe në shkolla. Nuk po trajtojmë idenë e lirisë së një individë të jetë apo jo gej. Diskutimi ishte “prindi 1 dhe prindi 2”, a mund të ruajmë ne kulturën tonë, nocionin e babait dhe të mamase të paprekur në formularët e regjistrimit të fëmijëve në kopshte dhe në shkolla.
Ai vazhdon të flaës për mënyrën se si fjalët e tij janë transformuar nga një intervistë e vitit 2021 dhe më pas është dërguar një denoncim kundër tij tek komisioneri Kundër Diskriminimit.
Nuk ka asnjë gjykatë në Republikën e Shqipërisë që ka shyrtuar kete pretendim, por nuk ka edhe asnjë organizatë për mbrojtjen e komunitetit LGBTI+ në Shqipëri që ka kërkuar një gjë të tillë.
Pastori thjesht ka apeluar në gjykatë një vendim të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, pasi ai është gjetur se ka përdorur gjuhë diskriminuese ndaj komunitetit LGBTI+ në disa emisione televizive.
Për më tepër komisioneri e thekson qartë në vendimin e tij, se vendimi nuk ka të bëjë me termat “prindi 1” dhe “prindi 2”
Më tej në vendimin e KMD arsyetohen edhe disa nga shkaqet që kanë çuar në marrjen e këtij vendimi:
Duke ju referuar permbaities se diskutimeve, gjuhës dhe fjalëve te perdorura nga Pastori Akil Pano, rezulton se personat LGBTI portretizohen si persona te cilet jane nje kercenim për traditën apo vlerat shoqërise. Këta persona, sipas referimeve të bëra nga subjekti (Akil Pano) konsiderohen si persona që çënojnë familjen tradicionale, që kërkesat e tyre janë antivlera pasi synojnë mungesë respekti ndaj prindërve duke propozuar heqjen e fjalëve “mami” dhe “babi”. Ai përdor fjalën “devijancë” për faktin e të qënit gej apo fjalët se “”Nuk ka akt më të shëmtuar dhe nuk ka akt më skandaloz” apo “Nuk ka çnderim më të madh se sa të heqësh nocionin nenë dhe t’i vendosësh një numër” dhe “dekonstruksion të nocioneve dhe vlerave” duke ju referuar propozimit lidhur me opsionin e regjistrimit të fëmijëve nga çiftet e këtij komuniteti. Deklarata e Pastorit Akil Pano se ai është kundër gjuhës së urrejtjes ndaj komunitetit LGBTI, nuk gjejnë asnjë mbështetje në gjuhën e përdorur gjatë diskutimeve të tij në këto emisione.”
Pjesa e fondeve të organizatave të Shoqërise Civile në Shqipëri, është një temë e diskutuar, e cila herë pas herë në kafene krijon debat. Por organizatat LGBTQ+, në vendin tonë vit pas viti raportojnë tek donatorët e ndryshëm të tyre, për të gjitha shpenzimet sado të vogla që janë ato.
Për ata që nuk e dinë sesi funksionon një organizatë joqeveritare, duhet kuptuar se në shumicën e rasteve organizatat LGBTQ+ në Shqipëri nuk marrin asnjë lekë nga buxheti i shtetit, dhe deri tek marrja e një projekti është një punë kolosale që kryhet nga ekspertët e këtyre organizatave, dhe punonjësit e tyre.
Pas çdo projekti, ka një periudhë periodike që quhet “raportim” ku organizata duhet të argumentojë dhe faktojë me prova të gjitha shpezimet, dhe një herë në disa vite për të shmangur veprimet joligjore ose ekstraligjore, organizatat i nënshtrohen auditeve.
Përveç kësaj, organizatat LGBTQ+ i paguajnë shtetit Shqiptar taksa të rregullta. Gjë që nuk mund të thuhet për organizatat fetare në vend. Përkundrazi, një fond i majmë nga buxheti i bashkive shkon në xhep të këtyre personave. Se si përdoren pastaj këto fonde, nuk na takon neve të flasim, sepse nuk kemi asnjë info.
Përkatësisht, edhe për vitin 2022, nga vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 26 Maj 2022: Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 3, 4, 5 e 6, të ligjit nr.10140, datë 15.5.2009, “Për financimin, nga buxheti i shtetit, të bashkësive fetare, që kanë nënshkruar marrëveshje me Këshillin e Ministrave”, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Masa e financimit, prej 113 000 000 (njëqind e trembëdhjetë milionë) lekësh, nga buxheti i vitit 2022, e miratuar për të mbështetur financiarisht bashkësitë fetare, përdoret, si më poshtë vijon:
a) Komuniteti Mysliman i Shqipërisë përfiton shumën 33 600 000 (tridhjetë e tre milionë e gjashtëqind mijë) lekë.
b) Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë përfiton shumën 26 496 000 (njëzet e gjashtë milionë e katërqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë) lekë.
c) Kisha Katolike në Shqipëri përfiton shumën 26 496 000 (njëzet e gjashtë milionë e katërqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë) lekë.
ç) Kryegjyshata Botërore Bektashiane përfiton shumën 26 408 000 (njëzet e gjashtë milionë e katërqind e tetë mijë) lekë.
Të plotë dokumentin mund ta gjeni në faqen: https://kryeministria.al/newsroom/vendime-te-miratuara-ne-mbledhjen-e-keshillit-te-ministrave-date-26-maj-2022/
Në fund të intervistës, Akil Pano shprehet se si kishat në vende të ndryshme të botës kanë qenë duke u lutur për këtë çështje (edhe pse në Shqipëri kjo çështje nuk ekziston), sepse për shumë vende në Skandinavi, si Suedia, Norvegjia, Finlanda e Danimarka, në vende të tjera në kontinentin Amerikan, si Kanadaja e kanë humbur këtë betejën e madhe. Askush nuk guxon që të mund të mbrojë atë që është kulturë.
Po e pyesim Pastorin, çfarë e ke keqe u ka ardhur këtyre vendeve super të zhvilluara që kanë humbur këtë betejë të madhe? Dhe mbi të gjitha e pyesim pastorin, cila është beteja e madhe? Respektimi i të gjithë njerëzve para ligjit si të barabartë?/HistoriaIme