Zjarri tek Spitali Amerikan/ Drejtori në ministrinë e Shëndetësisë: S’e dinim që qendra e dializës ishte aty
Zjarri i rënë në Spitalin Amerikan mëngjesin e 25 korrikut, i mori jetën 4 personave dhe disa të tjerë mbetën të plagosur. Ambienti duket se nuk plotësonte kushtet për shërbimin e hemodializës. Aty mungonte sistemi kundër zjarrit dhe dritaret ishin të bllokuara me kangjella, kur mund të përdoreshin për dalje të shpejt.
![](http://historiaime.al/wp-content/uploads/2016/07/Dializa-e1469807733623.jpg)
Ambjentet e jashtme ku ndodhi ngjarja
Akoma me shqetësuese bëhet situata kur mëson se ministria e Shëndetësisë nuk ishte në dijeni që hemodializa kryhej në këtë qendër. Drejtori i Administrimit Spitalor në Ministrinë e Shëndetësisë, Petro Mersini, i kontaktuar gazeta “Shëndet+” pohoi se ishte i habitur kur dëgjoi për ngjarjen, sepse nuk e dinte që qendra e dializës së këtij spitali ndodhej aty.
Ministria e Shëndetësisë e ka për detyrë ta inspektojë qendrën e hemodializës, pasi spitali Amerikan është shpallur kontraktor i dializës për 10 vite. Por sipas zotit Mersini, “kjo duhet të jetë një qendër e re, e cila e ka ofruar shërbim tani shpejt. Ne kemi inspektuar qendrën tjetër që ndodhet tek Spitali Amerikan 2 por jo këtë”. Ai madje ka shtuar se as nuk është në dijeni nëse Spitali Amerikan ka marrë licencimin për hapësirën ku ka ofruar shërbimin.
/m.g/
Burimi: shendeti.com.al