Tirana i shtohet listës së qyteteve europiane me ajrin më të ndotur

Sipas një studimi të OBSH, qytetet industriale në shtetet e Ballkanit perëndimor, kanë ajrin më të ndotur në Europë. Tetova në Maqedoni dhe Tuzla në Bosnje-Hercegovinë ishin në listën e 10 qyteteve më të ndotura europiane.
Mesa duket dhe Tirana mbetet në grupin e qyteteve më të ndotur në Europë. Ekspertët e faqes së internetit “Numbeo”, të specializuar për informacionet statistikore, intervistuan banorët në mbi 70 qytete europiane për ndotjen. Në raportin “Indeksi i Ndotjes”, çdo qytet u vlerësua nga 0-100, ku 100 ishte ndotja maksimale. Si më të ndoturit rezultuan: Tetova (97,57), Napoli (84,61), Shkupi (82,17) dhe Tirana në vend të katërt (80,51). Mes më të ndoturve janë dhe Bukureshti, Roma, Barcelona, Parisi dhe Milano.
Arsyet kryesore të ndotjes në Tiranë janë: trafiku, sistemi rrugor si dhe industria e ndërtimit.
Ndërsa qytetet më të pastra janë: Helsinki (13,49), Reikjavik (15,57), Zyrihu (16,42), Stockholmi (16,62) dhe Malmo (16,67)./ k.j