Tetori, muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit
Në të gjithë botën, tetori është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, për të rritur vëmendjen dhe për të sensibilizizuar, zbulimin e hershëm, trajtimin, si dhe kujdesin paliativ për këtë sëmundje.
Kanceri i gjirit është kanceri më i zakonshëm i grave në mbarë botën, si në vendet e zhvilluara dhe ato më pak të zhvilluara. Në vitet e fundit kjo sëmundje ka shënuar rritje në numrin e pacientëve për shkak të rritjes së jetëgjatësisë, rritjes së urbanizimit dhe mënyrave jo të shëndetshme të jetesës .
Aktualisht nuk ka njohuri të mjaftueshme për shkaqet e kancerit të gjirit, por dihet se, zbulimi i hershëm i sëmundjes mbetet guri i themelit të kontrollit të tij.
Si mund të zbulohet kanceri i gjirit?
Kontrolli është zbulimi i hershëm i kancerit kur pacienti nuk ka ende asnjë shenjë të sëmundjes. Kur kanceri i gjirit kapet që në fazë të hershme, falë ekzaminimeve, ka më shumë mundësi për t’u trajtuar.
Është e rëndësishme të dimë se asnjë test kontrollues për kancerin nuk është 100% i saktë. Për shembull, nëpërmjet një testi kontrollues, ndonjëhere mund të diagnostikohet kanceri kur nuk është, ose nuk arrin të diagnostikohet kur ka kancer. Testet më të besueshme që përdoren për diagnostikim të hershëm të kancerit të gjirit janë mamografia dhe ekzaminimet klinike të gjirit.
Çfarë është mamografia?
Mamografia është ekzaminimi i gjirit duke përdorur doza të ulta të rrezeve X. Gjiri vendoset midis dy pjatave plastike, të cilat e shtypin gjirin për ta shtrirë atë. Kjo mund të jetë diçka e pakëndshme, por zgjat vetëm pak sekonda. Shtypja e gjirit ndihmon në marrjen e imazheve sa më të qarta, duke përdorur sa më pak rreze X.
Edhe ekografia përdoret si teknikë për identifikimin e një kanceri të mundshëm të gjirit, por zakonisht, vetëm pas një mamografie.
Burimi: ATSH