Rreth orës 3:54 të mëngjesit, një tërmet ka goditur vendin me epiqendër në det në afërsi të Durrësit, duke shkaktuar qindra të plagosur, disa te vdekur dhe panik te qytetarë të shumtë.
Lëkundjet e fuqishme janë ndjerë deri në qytetin e Novi Sadit në Serbi, rreth 700 km nga epiqendra.
Deri në orën 11 të paradites, autoritetet kanë konfirmuar 8 të vdekur, ndërkohë që dëmet janë të shumta në Thumanë, Durrës, Mamurras, Laç dhe zonat përreth, me dhjetra banesa të shembura e njerëz nën rrënoja.
Në Durrës një banesë me 8 persona brenda është shembur nga pasgoditjet, pas dëmtimit gjatë tërmetit fillestar.
Forcat e ndihmës së shpejtë dhe qytetarë po ndihmojnë në nxjerrjen e njerëzve nga rrënojat, ndërsa ushtria e Kosovës po dërgon mjete, staf dhe makineri për asistencë në misionet e kërkim shpëtimit.
Ambasada e BE, ajo e SHBA dhe shtetet fqinje kanë shprehur gatishmërinë për ndihma, ndërsa Italia dhe Greqia kanë dërguar ndihma materiale dhe staf për lehtësimin dhe vlerësimin e situatës.
Goditja ishte më e rënda e dekadave të fundit, që nga tërmeti i vitit 1979 që goditi zonën e Shkodrës.
Shumë qytetarë po vinë në ndihmë të autoriteteve të ndihmës së shpejtë, ndërkohë që u bëhet thirrje qytetarëve për ruajtjen e qetësisë.
Rikujtojmë numrat e emergjencës. Numri 112 për qendrën e emergjencave, 129 Policia dhe 127 urgjencat shëndetësore.
Ndërkohë disa spitale private në vend po ofrojnë shërbim falas, së bashku me shërbimet e urgjencës dhe autoambulancave.
Bashkia Tiranë ndërkohë ka njoftuar hapjen 24 orë të qendrave sociale në Kombinat, Shkozë, Lanabregas, 5 Maji dhe Zogu i Parë.
Nëse kërkoni ndihmë për transport, mund të telefononi në numrin e gjelbër 0800 0888.
Dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit është ofruar për të mbledhur ndihma materiale nga qytetarët në oborrin e Teatrit Kombëtar, të cilat do i dërgohen më pas familjeve të prekura.
Në shumë media, pasojat shkatërrimtare po cilësohen si një rrezik i paralajmëruar për Durrësin dhe zonat përreth, pas tërmetit të muajit të shkuar ku pati gjithashtu dëme të shumta në banesa dhe struktura shtëpish e pallatesh.
Në zërat e Buxhetit të Shtetit aktualisht ka vetëm një fond rezervë prej 2 miliardë lekësh, ose rreth 17 milionë eurosh, që është tërësisht i pamjaftueshëm për të mbuluar pasojat e këtyre ngjarjeve shkatërruese.
Revista Monitor raporton se projektbuxheti i vitit 2020 pritet të jetë më negativi i viteve të fundit, si në drejtim të pritshmërisë për të ardhurat, ashtu dhe të shpenzimeve, sidomos atyre për investime.
Me të ardhurat që pritet të jenë më të ulëta, qeveria kishte hartuar një buxhet minimalist, e nga shpenzimet e këtij buxheti pritet të marrë fonde shtesë për lehtësimin e situatës, gjë e cila mund të sjellë një situatë të rënduar ekonomike për shkak të keqmenaxhimit dhe planifikimit të buxhetit.
Ndërsa autoriteret spitalore po punojnë me kapacitet të plotë e bashkë me to dhe shërbimet e emergjencëe, vonesa e dërgimit të këtyre shërbimeve në zonat e krizës, është një tjetër shqetësim që pritet të gjykohet pas kalimit të situatës emergjente.
Ndërkohë në momente të tilla, solidariteti duhet të na bëjë bashkë për të kaluar e për të ndihmuar lehtësimin e kësaj ngjarjeje tragjike.
Kërkoni ndihmë dhe qëndroni pranë personave që kanë nevojë për ndihmën tuaj.