Studimi: Shqipëria vendi i pestë në botë për vdekshmërinë nga ndotja e ajrit
Rreth 18, 000 njerëz vdesin çdo ditë për shkak të ndotjes së ajrit në botë. Këto shifra janë publikuar nga Forumi Ekonomik Botëror, të shoqëruara me një video ku shfaqen 10 shtetet me numrin më të lartë të vdekshmërisë nga ndotja e ajrit.
Shqipëria renditet në vendin e pestë me 171.4 vdekje për 100 mijë banorë. Sipas këtij studimi, shkaku kryesor i ndotjes në vendin tonë është sektori i energjisë, i cili shkakton 44% të emetimit të gazrave të dëmshëm.
Dy vendet që qendrojnë pas Shqipërisë në këtë renditje janë Sierra Leone dhe Kina ku numri i vdekjeve për 100 mijë banorë është përkatësisht 142.3 dhe 163.1.
Në rajon, Serbia ka numrin më të ulët me 137.2 vdekje për 100 mijë banorë e ndjekur nga Rumania dhe Ukraina. Numrin më të lartë në rajon për vdekjet për shkak të ndotjes, e ka Bosnjë dhe Hercegovina ,e 223.6 vdekje, ku rolin kryesor e luan trafiku rrugor.
Gjeorgjia është një nga vendet me vdekshmëri të lartë për shkak të ndotjes, duke regjistruar 292.3 vdekje për 100 mijë banorë, duke lënë pas edhe Korenë e Veriut. Sipas Forumit Ekonomik botëror, në botë çdo ditë vdesin 18.000 persona për shkak të ndotjes së ajrit, ndërsa në vit sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, numri në total është 6.5 milionë.
Kjo shifër është më e lartë se numri i të vrarëve nga HIV / AIDS, tuberkulozi dhe disa sëmundje të tjera. Në fakt, ndotja e ajrit është kërcënimi i katërt më i madh për shëndetin e njeriut, pas presionit të lartë të gjakut, rreziqet ushqimore dhe pirja e duhanit.
/l.k./
Video: 10 vendet ku ndotja e ajrit shkakton më shumë të vdekur:
Studimi i plotë nga “World Economic Forum”:
https://www.weforum.org/agenda/2016/07/these-countries-are-affected-most-by-air-pollution/