SKANDAL: Zall Herr, tonelata ilaçesh të skaduara hidhen pranë lumit Tërkuzë
Disa tonelata ilaçesh të skaduara, shumica e tyre të përfunduara në rrjedhën e lumit Tërkuze, kanë rreth 3 muaj që janë aty, duke rrezikuar jetën e qindra banorëve, për shkak të kimikateve dhe helmeve që ato kanë.
Ky nuk është rasti i parë, që zona e Zall-Herrit është zgjedhur për hedhjen e medikamenteve të skaduara nga kompanitë farmaceutike.
Tre vite më parë ka ndodhur e njëjta gjë.
Komuna e Zall Herrit është përgjegjëse sipas ligjit që të largoje mbetjet, e për këtë ka marrë edhe një gjobë nga Inspektorati Shtetëror i Mjedisit.
Por drejtuesit e Komunës së Zall-Herrit nuk dine se ku t’i çojnë ilaçet e rrezikshme.
Ata kanë kërkuar ndihmë tek të gjitha institucionet.
Vizion Plus pyeti në Ministrinë e Shëndetësisë, nëse ishte në dijeni të këtij skandali, por zyrtarë të lartë te saj thanë se u duhej kohë për të dhënë informacion.
Por ndërsa kompani farmaceutike apo distributorët vazhdojnë krimin mjedisor, të pandalur nga askush, ligji për barnat dhe shërbimin farmaceutik përcakton se si duhet bërë asgjësimi i ilaçeve të skaduara:
Barnat e bllokuara dhe të konfiskuara, të cilat janë të papërdorshme, asgjësohen në prani të inspektorëve farmaceutikë, me procesverbal të rregullt, sipas mënyrës së përcaktuar në legjislacionin për mbrojtjen e mjedisit, me shpenzimet e subjektit që ka bërë shkeljen.
Dy vite me pare, medikamentet e rrezikshme asgjësoheshin jashtë vendit nga kompani të licencuara.