Skandal me laboratorët në Shqipëri: Çon për analiza ujë të gazuar me duhan, e nxjerrin me e nxjerrin me prostatë
Një investigim i emisionit “Fisk Fare” nxori në pah mashtrimet e disa laboratorëve privatë të analizave në Tiranë. Gazetarët e emisionit investigativ “Fiks Fare” morrin mostra të përzierjes së ujit me gaz me duhanin dhe i dërguan për analiza në 9 laboratorë kimikë në Tiranë. Nga asnjë prej këtyre laboratorëve nuk u zbulua që tretësira që çuan gazetarët e “Fiks Fare” nuk ishte urinë. Madje, disa prej tyre, në përgjigjet që dhanë gjetën leukocite dhe eritrocite, të cilat nuk mund të prodhohen në kushte laboratorike.
Përgjigjet që dolën nga 9 laboratorët, “Fiks Fare” i konsultoi edhe me një mjek infeksionist dhe një mjeke laboratori.
Mjeku infeksionist Arjan Harxhi, pasi pa këto analiza u shpreh i bindur se përgjigjet duken si të një kampioni urine. Sipas tij, nëse nuk do të ishte urinë, atëherë në të gjitha parametrat duhet të ishte negative.
Sipas mjekes së laboratorit Genta Dedej, në një rast të tillë përgjigjja duhej të ishte zero për të gjitha substancat biokimike. “Ka prani të urateve amorfe, që ka nxjerrë pjesa më e madhe e këtyre përgjigjeve. Prania e leukociteve dhe eritrociteve. Madje në njërën rezulton edhe me epitele. Të gjitha këto janë të papranueshme. Uji nuk i ka këto elemente. I ka vetëm organizmi, trupi i njeriut”, shpjegoi mjekja.
Sipas saj, këto përgjigje analizash janë të bëra shabllon, apo “copy-paste” nga kompjutera që fusin një emër pacienti dhe e nxjerrin. Këto kanë nxjerrë që pacienti ka pasur infeksion. Ka pasur kripëra. Ka pasur epitele. Që flasin për patologji të ndryshme në organizëm.
“Fiks Fare”, sqaroi se ky investigim u bë pas ankesave të shumta të ardhura për mungesën e seriozitetit të laboratorëve privatë.
Burimi: Shendeti.com.al