Largimet masive nga Shqipëria të mjekëve dhe infermierëve tashmë janë kthyer në një problem për vendin tonë. Sipas një ankete të bërë nga Shoqata ‘Together For Life’ bilanci flet për shifra të ‘frikshme’, pasi 78% e mjekëve tanë pohojnë se mund të largohen nga Shqipëria.
Në konkluzionet e këtij anketimi thuhet se Shqipëria ka normën më të ulët të mjekëve për mbulimin e kujdesit shëndetësor për popullsinë, me 1.2 mjekë për 1000 banorë. Shumë njerëz, veçanërisht në zonat rurale dhe fshatra, kanë shumë vështirësi për shkak të mungesës së shërbimit shëndetësor në zonat e tyre. Gjithsesi, mungesa e specialistëve shëndetësorë në vitet e fundit ka prekur edhe spitalet rajonale dhe qendrat universitare.
Shoqata “Together for Life” e mbështetur financiarisht nga Friedrich Ebert Foundation ka realizuar një studim ku ka marrë në pyetje 1000 mjekë lidhur me shkaqet e largimit të tyre nga Shqipëria.
Rezultatet e Studimit
Balkanweb raporton të dhënat e studimit ku 78% e mjekëve pohojnë se konsiderojnë largimin nga Shqipëria. 24% e tyre janë gati për t’u larguar menjëherë, ndërkohë që 54% do të largoheshin po t’u jepej mundësia. Vihet re një prirje më e madhe e gjinisë femërore (84%) për t’u larguar nga vendi, krahasuar me gjininë mashkullore (74%).
Situata më problematike paraqitet në qendrat universitare, të cilat përballen momentalisht dhe me fluksin më të madh të pacientëve, ku 54% e mjekëve deklarojnë se dëshirojnë të largohen nga vendi. Shqetësuese është dhe tendenca për tu larguar e mjekëve me gradë shkencore, 40% e të cilëve e konsiderojnë të rëndësishëm largimin e tyre nga Shqipëria.
Ndër shkaqet kryesore që i nxisin mjekët për t’u larguar në një vend tjetër janë: serioziteti në punë, mbështetja financiare, si dhe kushtet më të mira të punës. Shumica e mjekëve ankohen se kanë mangësi në shërbime, 26% e të cilëve pretendojnë mungesa në të gjitha shërbimet dhe 60% në disa prej shërbimeve. Është shqetësues fakti se ata që ankohen më shumë për mungesa janë mjekët e spitaleve universitare, 56% e të cilëve pretendojnë mungesa në të gjitha shërbimet dhe 40% mungesa në disa prej shërbimeve. Mjekët në përgjithësi ndihen të pakënaqur, të mbingarkuar me punë, të nënvlerësuar dhe të stresuar.
Rezulton se më të pakënaqur janë gjinia mashkullore, për të cilët niveli i pakënaqësisë arrin në 40% të tyre. Nga ana tjetër, gjinia femërore ndihet më shumë e stresuar (26%).
77% e mjekëve e vendosin veten tek më të keqpaguarit në sistemin shëndetësor dhe vetëm 1.5% e tyre e cilësojnë veten me të ardhura të larta.
Në fund, 50% e mjekëve mendojnë se e ardhmja në Shqipëri nuk është e sigurt. Kjo përbën 56% të gjinisë femërore dhe 40% të gjinisë mashkullore, duke treguar edhe një herë se mjeket janë më të prirura për t’u larguar nga vendi krahasuar me mjekët.
Pavarësisht publikimit të rezultateve dhe përkeqësimit të shifrave të emigrimit në kohët e fundit, mungon reagimi i institucioneve dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Disa ditë më parë u premtua nga zyrtarët e qeverisë një rritje pagash në muajt në vijim për mjekët, por sërish problemi i emigracionit dhe largimit të trurit të vendit, vijon të shihet si një trend që prek të gjithë vendet e botës dhe jo si problem shqetësues për Shqipërinë./k.j