Me shifrat e të prekurve nga Covid-19 në rritje kudo në Evropë, edhe Shqipëria duket se po forcon së fundmi masat për parandalimin e përhapjes së virusit në popullatë.
Nga e enjtja, maska do të jetë e detyrueshme për tu mbajtur në të gjithë ambjentet publike, përfshirë dhe në rrugë, një nisëm e ndërmarrë prej disa javësh në qytetet më të mëdha të Evropës.
Shpëtim i vetëm duket aprovimi i vaksinës kundër Covid-19 dhe prodhimi i saj në masë, por sfida e rradhës do të jetë pranimi i popullsisë për tu vaksinuar.
Evidencat shkencore flasin për vaksina tepër të sigurta, të cilat do të sigurojnë imunitet në një pjesë të konsiderueshme të popullatës, sidomos grupet në rrezik, për të menaxhuar më mirë situatën e pandemisë dhe për të ulur gradualisht kurbën e infektimeve të reja.
Por përsa i përket besimit te vaksina kundër Covid-19, dhe vaksinave në përgjithësi, midis shqiptarëve duket të jetë e rrënjosur ideja se vaksinat nuk janë të domosdoshme, madje shumica prej tyre i frikësohen efekteve anësore.
Në një anketim të kryer nga IDRA Poll, rezulton se vetëm 37% e shqiptarëve janë të gatshëm për tu vaksinuar, sapo vaksina të jetë në qarkullim.
Në pjesën më të madhe, 54% nuk dëshirojnë të vaksinohen dhe midis tyre arsyeja kryesore renditet frika nga efektet anësore që mund të sjellë vaksina.
53% e personave që janë kundër vaksinimit, i frikësohen efekteve anësore, 20% e tyre janë kundër vaksinimit në tërësi ndërsa 11% mendojnë se vaksina nuk do të jetë e efektshme.

Bota në pritje të vaksinës. OBSH: “Mund të jetë e disponueshme në dhjetor.”
Nëntë vaksina eksperimentale janë në procesin e aprovimit, pjesë e mekanizmit global të vaksinave të krijuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Mekanizmi i quajtur COVAX, synon të shpërndajë 2 miliardë doza deri në fund të vitit 2021.
Takimi dy-ditor i bordit të COVAX, i cili shqyrtoi përgjigjen globale ndaj pandemisë, mori në konsideratë thirrje nga vende të ndryshme të botës duke përfshirë Gjermaninë, Britaninë dhe Australinë për reforma për të forcuar më tej përgjigjet globale përmes Kombeve të Bashkuara.
Të premten, pjesë e COVAX u bë dhe Kina, që kanë nënshkruar iniciativën globale me synim të sigurojë qasje të drejtë dhe të barabartë në një vaksinë COVID-19 sapo ajo të zhvillohet. Kina zuri vendin e SHBA në këtë aleancë, e cila u kritikua nga Presidenti Trump si përgjigje e dobët e OBSH ndaj pandemisë së COVID-19.
Javën e shkuar, drejtuesi i OBSH Dr.Tedros deklaroi se vaksina e parë mund të aprovohet në muajin dhjetor, për të filluar më pas prodhimin dhe shpërndarjen në masë.
Edhe pse vaksina nuk do të jetë si një “shkop magjik” që do të kthej jetët tona sërish në normalitet, ajo do të mund të lehtësojë situatën me të cilën po ndeshet në këto momente e gjithë bota.
Përsa i përket efektivshmërisë, është ende herët për të folur.
Për shkak se çdo vaksinë e parë, ka të ngjarë të jetë jo 100% e efektshme, përdorimi i maskave dhe ruajtja e distancës sociale do të kërkohet gjatë gjithë vitit të ardhshëm, thonë ekspertët.
“Vaksina do të jetë një fillim, por ne do të duhet të vazhdojmë të bëjmë gjërat që kemi diskutuar gjatë gjithë kohës – higjienën e duarve, mbajtjen e maskave dhe vazhdimin e ruajtjes së distancës.” tha Dr. Krutika Kuppalli, një profesor asistent i sëmundjes infektive në Universitetin Mjekësor të Karolinës së Jugut. “Ata janë arsenali i mjeteve që do të duhet të përdorim.”