Instituti suedez Health Consumer Powerhouse ka publikuar ditën e djeshme Indeksin e Shëndetit Konsumator për vitin 2018, në te cilin janë renditur 35 shtete evropiane. Në këtë indeks, Shqipëria renditet e 35-a, në vend të fundit, duke shënuar një përkeqësim të ndjeshëm nga viti paraardhës.
Shqipëria është përkeqësuar me tre vende, duke zbritur e fundit. Në indeksin e 2017, poshtë vendit tonë renditej Rumania, Mali i Zi dhe Bullgaria.
Indeksi është një mënyrë për të matur se në çfarë mase, secili nga 35 vendet përmbush pritshmëritë e një shëndeti shëndetësor të mirë dhe të orientuar ndaj konsumatorëve. Indeksi përbëhet nga 6 nën-disiplina: të drejtat e pacientit dhe informacioni; aksesi (koha e pritjes për trajtimin); rezultati; lloji dhe aksesi në shërbime; parandalimi; produktet farmaceutike.
Shqipëria, thekson raporti, ka burime shumë të kufizuara të kujdesit shëndetësor. Shpjegimi i ministrisë shqiptare të shëndetësisë për nivelin e ulët të përdorimit të kujdesit shëndetësor lidhet me faktin se “shqiptarët janë të vështirë dhe shkojnë tek doktori vetëm kur janë të detyruar”. Por, sipas raportit, ky është një thjeshtim i situatës, pasi Shqiptarët vizitojnë doktorin e tyre kryesor dy herë më shumë se suedezët (3.9 vizita në vit kundrejt 1.7)!
Ndryshe nga Shqipëria, vendet e tjera të Ballkanit kanë bërë përpara në drejtim të përmirësimit të shëndetit konsumator. Serbia vijon të ngjitet në renditje, duke zënë vendin e 18-të si rrjedhojë e përmirësimit të situatës me kohën e pritjes dhe për shkak të investimeve, ndërsa Mali i Zi ka shënuar përmirësim për shkak të uljes së normës së vdekshmërisë foshnjore, duke u ngjitur në vendin e 23-të.
Sipas grafikëve të paraqitur në raport, Shqipëria ka dhe shpenzimet më të ulëta për frymë për kujdesin shëndetësor, të matura sipas barazisë së fuqisë blerëse. Një tjetër tregues ku jemi të fundit është numri i doktorëve për 100 mijë banorë.
Vendi ynë është i parafundit në Europë edhe për aksesin në trajtimin ndaj kancerit, duke lënë pas vetëm Hungarinë, ndërsa sa i përket kohës së pritjes së skanerit ka një renditjen pozitive, në zonën e gjelbër. Përsa i përket mbijetesës së ulët nga kanceri, renditemi në vend të tretë pas Polonisë dhe Rumanisë, me një normëmbijetese midis 40-50%, nga gati 70% që e ka Zvicra, shteti me normë më të lartë mbijetese.
Shqipëria ka gjithashtu dhe nivelin më të lartë të vdekshmërisë foshnjore në Evropë, me 12 vdekje për 1,000 lindje.
Shqipëria renditet e dyta në Evropë dhe për normën e lartë tëvetëvrasjeve, me 0.05 për 100 mijë banorë, pas Qipros. Jemi të fundit në Evropë dhe për transplantet e veshkave si dhe për kujdesin shëndetësor për të moshuarit mbi 65 vjeç.
Për vdekjet nga aksidentet renditemi të dytët në Europë, pas Rumanisë.
Një tregues ku jemi pozitiv është përqindja e mbulimit me vaksina për 8 sëmundje. /k.j
Burimi: Balkanweb