Shkencëtarët zbulojnë ku fshihet virusi HIV pasi sulmohet nga antiretroviralët (SKANIM)
Agjencia e lajmeve franceze AFP njofton se shkencëtarët kanë bërë një hap më tej për të kuptuar virusin HIV.
Ata kanë mundur të kuptojnë se ku “fshihet” virusi pasi është sulmuar nga antiretroviralet që përdoren aktualisht. (Ne foto nga AFP)
Kjo mund të jetë një armë e fortë drejt zbulimit të një kure, shpresojnë shkencëtarët.
Përdorimi i antiretroviralëve e çon virusin në nivele aq të ulta sa është e vështirë të dedektohet përmes mjeteve tradicionale. Por virusi mbetet po aty, i fshehur në trup.
Përmes zbulimit të fundit është arritur të kuptohet se virusi fshihet në një numër të vogël qelizash të pozicionuara në vende të ndryshme e që shërbejnë për HIV si një rezervat që e mbron atë nga ilaçet.
Nëse trajtimi me antiretroviralë ndalon atëherë virusi fillon të bëhet sërish aktiv.
Në një artikull të botuar në “Nature Methods” shkencëtarët raportuan se kanë arritur që ti identifikojnë këto “rezervate” apo zona ku fshihet virusi gjatë eksperimenteve që kanë bërë me majmunët në laborator.
Mënyra që përdori grupi i shkencëtarëve i drejtuar nga Francois Villinger nga një universitet në Atlanta, për të zbuluar ku fshihet HIV ishte duke e “gjurmuar” përmes një antitrupi të vendosur në sipërfaqet proteinike.
Antitrupi vetë u gjurmua përmes një izotopi radioaktiv i zakonshëm nga ato që përdoren në skanimet mjekësore.
Gjatë eksperimentit shkencëtarët patën mundësi ta ndiqnin gjithë rrugën. Ata mësuan se virusi qëndron i fshehur në këto rezervuare kryesisht në zorrën e trashë, në gjendrat limfatike, ose në traktin gjenital apo në disa zona kockore.
Puna kërkimore për gjetjen e një kure kundër HIV është ende në fazat e para pasi problem për shkencëtarët mbetet sidomos çështja e mutacioneve të këtij virusi dhe problem tjetër deri më sot ishte për të kuptuar zonën ku fshihej virusi pas fillimit të trajtimit me antiretroviralë. Të paktën për këtë të fundit sapo është bërë një hap domethënës.