Shëndetësia falas? Spitalet private rritën xhiron me 21% gjatë vitit 2015
Sipas të dhënave nga bilancet përkatëse spitalet private në Shqipëri kanë njohur rritje dyshifrore të të ardhurave gjatë vitit 2015, raporton “Monitor.al”. Përqindja më e madhe e të ardhurave ka ardhur nga xhepat e shqiptarëve të pakënaqur me sistemin shëndetësor shtetëror për të cilin paguajnë sigurimet e duhet ta marrin falas.
Kështu 6 spitalet dhe klinikat më të mëdha private në vend, Spitali Amerikan, Spitali Hygeia, Salus, Spitali Gjerman, Klinika Gjermane e Syrit dhe Spitali Evropian kanë qarkulluar një shumë prej rreth 52 milionë eurosh, me një rritje prej 21% krahasuar me vitin 2014. Megjithëse një pjesë e këtyre parave janë rimbursuar nga shteti, si në rastin e shërbimit të hemodializës, sërish pjesa më e madhe e të ardhurave vjen direkt nga qytetarët.
Bilancet e 6 spitaleve dhe klinikave më të mëdha në vend/ Burimi: Monitor.al
Spitali më i madh privat në vend është American Hospital, me një xhiro prej gati 3.8 miliardë lekësh në 2015-n, sipas të dhënave të raportuara në bilanc, me një rritje prej 16% me bazë vjetore. Burimi kryesor i të ardhurave të këtij spitali janë ndërhyrjet kirurgjikale, me 31% të totalit, apo 1.2 miliardë lekë. Nga shërbimi i hemodializës (që rimbursohet nga shteti), të ardhurat ishin 705 milionë lekë, më pas janë shërbimet ambulatore, laboratorike dhe të kardiologjisë.
I dyti më i madh në vend është Hygeia, me një qarkullim vjetor prej 2.5 miliardë lekë dhe zgjerim 29%. Rreth 83% e të ardhurave të tij vijnë nga shërbimet e ofruara dhe pjesa tjetër nga shitja e medikamenteve dhe materialeve.
Salus, spitali i tretë më i madh privat në vend, ka vijuar rritjen e shpejtë. Pas zgjerimit me 80% në 2014-n, në 2015-n të ardhurat u rriten me 40%, për të arritur në rreth 525 milionë lekë.
Spitali Gjerman ka rritur të ardhurat me 30% në 216 milionë lekë.
Klinka Gjermane e syrit dhe Spitali Europian, kanë shënuar rënie përkatësisht me 2 dhe 10%, pas rritjes së fortë të vitit të mëparshëm.
Bilancet e 6 spitaleve private më të mëdha në Shqipëri/ Foto: Monitor.al
Pavarësisht rritjes së madhe në xhiro, spitalet rezultojnë me humbje të mëdha:
Ndonëse pasqyrojnë rritje dyshifrore në përqindjen e xhiros çdo vit, të gjithë spitalet e mëdha rezultojnë me humbje për shkak të shpenzimeve të larta që raportojnë si pasojë e kredive të marra, hapjes së filialeve të reja dhe kostove të larta të mjekëve.
/l.k./